E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardit Bala, 4 vjeçari ka nevojë për gjak që të jetojë

Ardit Bala, nuk ka mbushur ende 4 vjeç dhe prej katër muajsh i është shfaqur një sëmundje e rëndë në gjak ç‘ka e bën jetën e tij të varur nga të tjerët. Arditi ka një grup gjaku të vështirë, B negativ dhe vetëm personat që kanë këtë grup gjaku mund ta ndihmojnë. Babai i tij, Flamur Bala, shprehet shumë i shqetësuar për shëndetin e të birit, gjendja e të cilit muajin e fundit është rënduar shumë. Mjekët thonë se fëmija ka një çregullim të palcës kurrizore që nuk i prodhon siç duhet elementet e saj, ndërsa shkaku për sëmundjen mbetet i panjohur.
Vetëm një natë më parë situata ishte alarmante. Kërkohej gjak për Arditin, por as në spital dhe as në bankën e gjakut nuk gjendej, pasi fëmija tashmë kërkon t‘i transfuzohet gjak i përpunuar. I gjendur në vështirësi, i ati Flamuri iu drejtua televizionit "Top Channel", për t‘i bërë një apel qytetarëve, të cilët kanë këtë grup gjaku, që të dhurojnë për të shpëtuar Arditin.
Ndërsa dje, Flamuri thotë se falë apelit kanë ardhur dhuruesit e parë, por gjithsesi gjendja e të birit mbetet e rëndë.

Kjo pasi nevojat për gjak për Arditin janë shtuar dhe gjaku i dhuruar për të nuk mund të konservohet. Ai duhet dhuruar sa herë që fëmija ka nevojë.
Shpëtimi njëherë e mirë për Arditin është vetëm transplanti i palcës që mund të kryhet jashtë Shqipërisë. Ministria e Shëndetësisë po përpiqet të gjejë një zgjidhje në bashkëpunim me spitale të huaja, por deri atëherë Arditi ka nevojë për gjak që të mbijetojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›