E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH "lidh" spitalet me kontratë

Reforma aq e përfolur në shëndetësi ka nisur të hedhë hapat e parë, planifikimin e punëve. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, sektorit që i ka rënë dhe barra më e madhe ka nisur të publikojë deklaratat e para, për sa i takon punës dhe rrugës së gjatë të ndryshimit dhe përmirësimit të shëndetësisë. Rregulla të reja për administratën spitalore, mjekët, pacientët, të cilët duhet me patjetër t‘i respektojnë ato në të mirë të rregullimit të gjendjes. Dje, Kujdesi Shëndetësor ka dhënë detajet e para për sa i takon nisjes së reformës. Pikat kyçe të ndryshimit janë disa, pjesë të së cilës përfshijnë autonominë, por edhe përgjegjësinë. Duke nisur nga ky vit, spitalet do të bëjnë vetë blerjet, tenderat, do të plotësojnë të gjitha kërkesat duke kryer vetë parashikimin, administrimin e të ardhurave, blerjet dhe kërkesën e llogarisë. Ai që do t‘u qëndrojë mbi kokë veprimeve do të jetë Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ministrja nga ana tjetër do të jetë politikëbërëse dhe katalizatori mes legjislacionit, zbatimit në praktikë apo menaxhimit të kërkesave dhe fondeve që i nevojiten shëndetësisë në vazhdimësi. Për sa u takon borxheve të trashëguara nga e kaluara, ato do të shlyhen nga qeveria, nëpërmjet një fondi që do të vendoset në dispozicion.

Reforma për pacientin

"Pacienti do të përfitojë, sepse spitalet do të kenë më shumë barna, pasi do t‘i prokurojnë vetë ata që në fillim të vitit dhe natyrisht do të garantohet nëpërmjet një kontrolli shumë të hollësishëm nga ISKSH, që të gjitha spitalet do të kenë barnat më të domosdoshme, sipas shërbimeve që ato japin", sqaroi dje drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratë me çdo spital brenda marsit dhe brenda të njëjtës periudhë drejtori i spitalit do të lidhë kontrata me të gjithë punonjësit. Kontratat do të bazohen në shërbimet që realisht ofrohen në spitale në momentin e lidhjes së kontratës. Me vendosjen e kontratës midis ISKSH-së dhe spitaleve, do të jenë të përcaktuar saktësisht se çfarë shërbimi do të ofrojë secili spital kundrejt pacientit.

Do të jenë plot 50 shërbime spitalore që do të financohen nga ISKSH dhe një pjesë e financimit janë ndarë sipas spitalit të rrethit apo qarkut.

Shërbimet e listës

Në listën e planifikuar nga Kujdesi Shëndetësor janë të gjithë shërbimet që jepen sot në vend, por sipas institutit, nuk është e thënë që të gjitha vendimet që janë atashuar në VKM të jepen në një spital të caktuar. Për këtë arsye, detajimi do të vazhdojë më tej, me kontratat që do të lidhen me spitalet. Kontrata do të ketë të përcaktuar vetëm atë shërbim që jep spitali dhe për atë do ta paguajë ISKSH, në momentin e kontraktimit dhe më tutje.

"Nëse do të ketë nevojë për t‘u shtuar shërbime të tjera natyrisht do të ketë nevojë për para të tjera e për këtë arsye do të negociohet midis nesh dhe Ministrisë së Financave nëse do të duhet që kjo paketë e shërbimeve fillestare, të jetë më e zgjeruar", sqaroi drejtuesja e Kujdesit Shëndetësor.

Ndryshimi i kanalizimit të parave

Të ardhurat dytësore do të

administrohen nga vetë spitali

Një pikë e rëndësishme e arritur nga Vendimi i Këshillit të Ministrave ka të bëjë me përdorimin e të ardhurave dytësore nga vetë spitali, i cili do të ketë mundësi edhe të trashëgojë fondet. Nëse i mbeten fonde pa shfrytëzuar gjatë vitit ato nuk do të kalojnë më në buxhetin e shtetit, por do të mund të mbahen dhe përdoren nga vetë spitali.

Ndryshimi i mënyrës së financimit në spitale dhe ndarja e qartë e kompetencave dhe përgjegjësive do të përbëjë thelbin e reformës.

Borxhet që mbartin spitalet nuk janë përfshirë në "paketën" e zgjidhjeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Një nga shkaqet është dhe fakti që nuk dihet shifra e saktë e këtyre borxheve, pasi janë të akumuluara ndër vite. Ka 18 vjet që spitalet vazhdojnë të punojnë me borxhe dhe për këtë arsye në fazën e parë që është etapa përgatitore, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do të mbledhë informacionet e nevojshme nëpërmjet kontratës. "Do të kërkojmë adresimin e këtyre borxheve nga qeveria, që natyrisht në bisedat paraprake që janë bërë nuk do t‘u ngelen as spitaleve as ISKSH-së. Pra, ky buxhet, që ju jepet spitaleve do të përdoret vetëm për nevojat e tyre, jo për borxhet", sqaroi Hana.

Protokollet dhe diagnoza

Lëvrimi i fondeve nëpërmjet

Ministrisë së Financave

Ndarja e buxhetit për çdo spital për vitin 2009 është bërë me vendim qeverie, ku janë të përcaktuara zërat në paga, sigurime dhe mallra e shërbime. Po sipas këtij vendimi, kalimi i buxhetit do të bëhet nëpërmjet llogarisë së thesarit të Ministrisë së Financave. Kjo do të thotë se lëvrimi i fondeve do të bëhet nga Ministria e Financave për dhënien e pagave, sigurimeve dhe mallrave e shërbimeve. Sipas vendimit të qeverisë, spitali do të zbatojë sistemin e referimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila do të jetë gjithashtu përgjegjëse për investimet në spitale.

Në fazën e parë është vendosur nga qeveria një autonomi e kontrolluar e këtyre spitaleve dhe për këtë arsye është përcaktuar thesari si lëvruesi i fondeve në momentin e parë.

Një rol themelor i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, sipas vendimit të qeverisë, brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim. Sipas këtij vendimi, spitali ushtron veprimtarinë e tij bazuar në këto standarde që përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe mund të rivlerësohen çdo vit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›