E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria "injoron" prodhuesit e veshjeve

Sektori fasonist ose ndryshe prodhuesit e veshjeve në vend nuk e kanë kapërdirë dot faktin që qeveria nuk mori parasysh kërkesën për heqjen e kontributeve për ata individë që punësohen për herë të parë. Ligji i ri për kontributet shoqërore dhe shëndetësore u miratua së fundmi me disa ndryshime, ku ndër të tjera u jepte mundësi subjekteve me material porositësi fason që të paguanin vetëm 0.5 për qind të kontributeve të detyrueshme për aksidentet në punë. Shkalla e detyrimit vlerësohet mbi pagën bruto minimale që është 17 mijë lekë të reja në muaj. Në këtë pikë, përfitojnë vetëm punonjësit e ri dhe vetëm në muajin e parë të punës, ndërsa të tjerët janë të përfshirë në të gjitha detyrimet fiskale. Për Dhomën Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, kjo lehtësi nuk mjafton, duke qenë se sektori është duke u përballur me rritje të kostos, nisur edhe nga rënia ekonomie e atyre vendeve ku eksportohet malli. Drejtori Ekzekutiv i Dhomës, Bardh Sejdarasi, shprehet se Këshilli Kombëtar i Punës më 11 nëntor 2008 kishte miratuar propozimet e paraqitura nga sektori fasonist, duke ia kaluar për marrje vendimi ministrit të Financave. Prodhuesit e veshjeve, që në të gjithë vendin numërohen rreth 420, kishin kërkuar përjashtim nga kontributet për punonjësit e rinj deri në gjashtë muajt e parë të punës. Duke qenë se një pjesë e punëmarrësve janë me shkollim të ulët dhe pa asnjë përvojë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve kishte kërkuar marrjen e menjëhershme të masave, pasi impakti i ecurisë në prodhim dhe kosto sa vinte e rritej. Sektori i fasonit në vend numëron rreth 100 mijë të punësuar direkt dhe indirekt, ku pjesa dërrmuese vijnë nga shtresa të varfra.

Kostot

Prodhuesit e veshjeve vlerësojnë disa nga reformat fiskale të ndërmarra nga qeveria, por nga ana tjetër pranojnë se një pjesë e tyre kanë zbehur zhvillimin e sektorit. Ata shprehen se në një kohë kur industritë, që punojnë me mall porositës, nuk e kanë mundësinë të operojnë me çmimet e tyre në treg, kjo rritje e kostos shkon direkt në pakësim të fitimit të ndërmarrjes. Duke u ndalur te pagat e referencës, DHKPV thotë se produkt i vetëm i saj është krahu i lirë i punës dhe "sa më i lirë të jetë ai, aq më e ulët është kostoja e prodhimit". Sipas të dhënave nga Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve përllogaritet se në total sektori i fasonit ka një humbje prej rreth 750 milionë lekësh. Rritja e kostos si pasojë e bërjes së pagës minimale për 17.000 lekë është rreth 13 për qind më shumë, dhe në shifra absolute kjo rritje është (për një ndërmarrje me 50 punëtorë) rreth 367 mijë lekë më shumë për pagat e punonjësve, ndërsa ajo me 200 punëtorë rreth 1.3 milionë lekë më shumë. Paga e punës varion nga 60-70 për qind të shpenzimeve, ndërsa pjesa e sigurimeve shoqërore zë 15-20 për qind të shpenzimeve.

Sektori

Në shkallë vendi, numërohen më shumë se 400 subjekte private, që punojnë me fason dhe që qarkullojnë rreth 4 miliardë lekë si xhiro ekonomike. Vetëm në Tiranë, numërohen afro 160 biznese prodhuese me fason, me një xhiro ekonomike prej rreth 1.2 miliardë lekësh. Në vitin 2006, industritë e fasonit dhe të lëkurë-këpucëve zunë në total 54 për qind të eksporteve shqiptare, si dhe rreth 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vend. E gjithë industria është e organizuar me material porositësi (fason), me drejtim tregjet e huaja. Rreth 70 për qind e këtij prodhimi shkon në tregjet e Italisë dhe Greqisë, si dhe në disa vende të BE-së, kryesisht Gjermani, Austri, etj. Sipas një vëzhgimi të fundit të KPMG/Marke, më pesimistët janë prodhuesit evropianë të tekstileve, sektori nga i cili varen direkt 50 për qind e totalit të eksporteve shqiptare.

Kërkesat e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve

1. Pagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë punëtorët e rinj, që fillojnë punë për herë të parë, për gjashtë muaj nga shteti, si detyrim ligjor për punësimin e qytetarëve të tij, por edhe si objektiv i deklaruar tashmë i programit të qeverisë. Për të arritur këtë gjë, qeveria duhet të shfrytëzojë fondin e planifikuar për nxitjen e punësimit dhe atë të formimit profesional nëpërmjet punës (për 2008-ën ishte rreth 800 milionë lekë), të cilët kanë rezultuar joefektivë dhe pa ndikim në objektivin për të cilin ishin planifikuar.

2. Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për të gjithë të punësuarit e deklaruar duhet të bëhet jo më mbi bazën e pagave të referencës, por mbi bazën e pagës faktike.

3. Duke qenë se industria e tekstileve punon për eksport dhe për pasojë zë një peshë relativisht të konsiderueshme në futjen e valutës së huaj në vend dhe duke qenë se kjo industri nuk përfshihet në nivelin e tatimpaguesve të mëdhenj, por dhe duke marrë në konsideratë dispozitat ligjore të vendeve fqinjë e më gjerë, të përjashtohen nga tatim fitimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›