Arenca Trashani: Çdo veprim i opozitës, jashtë ligjit dhe etikës e logjikës njerëzore
Deputetja e Partisë Demokratike Arenca Trashani e konsideron çdo lëvizje të opozitës si ekstra ligjit. Deputetja demokrate tha se Rama prej muajsh të tëra ka iniciuar një kurs të rrezikshëm për bllokimin e integrimit të Shqipërisë dhe po ashtu po tenton të dalë mbi verdiktin e pandryshueshëm të gjykatave dhe institucioneve kushtetuese. “Edvin Kristaq Rama, po përpiqesh prej dhjetë muajsh të bllokosh Shqipërinë, duke menduar, punuar e vepruar jashtë çdo ligji juridik, logjik e njerëzor. Ti nuk njohe rezultatin e dalë nga zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në këtë vend, dhe për këtë je jashtë ligjit. Ti kërkove rinumërim të votave, kundër çdo vendimi të gjykatave të këtij vendi, dhe për këtë je jashtë ligjit. Ti mbajte dhe vazhdon të mbash jashtë parlamentit, grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe për këtë je jashtë ligjit.
Ti bllokove Bulevardin qendror me çadra dhe dyshekë dhe je prapë jashtë ligjit
Detyron çdo ditë punonjësit e Bashkive dhe Komunave që drejtohen nga socialistët, të marrin pjesë në protesta dhe je prapë jashtë ligjit. Bllokon rrugët dhe pengon qarkullimin e qytetarëve dhe je prapë jashtë ligjit. Refuzon sistemin kushtetues e ligjor, sistemin e drejtësisë dhe së fundmi edhe sistemin shëndetësor të këtij vendi, dhe këtu je jashtë ligjit dhe jashtë çdo logjike të shëndetshme njerëzore. Ti ju kundërvure të gjithë Elitës së Kombit, që i tha STOP ngujimit në mes të bulevardit dhe këtu je jashtë etikës dhe logjikës njerëzore”- u shpreh deputetja Arenca Trashani.
Në përfundim ajo i bëri edhe një apel kreut të opozitës Edi Rama: “Si ligjvënëse e Kuvendit të Shqipërisë, po të them: mblidh çadrat dhe ik nga rruga, se Tirana është dhe do të jetë një qytet europian në Europë”.