E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula e propozuar – absurde, s’ka asnjë ndryshim nga kërkesa e zakonshme për hapjen e kutive të votimit

Flet ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çlirim Gjata

Nuk mund të ketë zgjidhje të situatës përmes një propozimi për hapjen e materialeve zgjedhore dhe mos hapjen e kutive të votimit. Kjo është jashtë funksionimit, është absurde. Kështu u shpreh dje, ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çlirim Gjata, përmes një komunikimi me mediet. Gjata e cilësoi formulën shumë të përfolur ditët e fundit për zgjidhjen e situatës politike në vend si absurde.
Sipas juristit Gjata për të dy opsionet le të shprehet Gjykata Kushtetuese, e cila më pas mund t’ia çojë çështjen për interpretim Komisionit të Venecias dhe le të jetë ky i fundit që të vendosë për hapjen ose jo të kutive, të materialeve zgjedhore dhe atyre të votimit.
“Nuk mund të kërkohet hapja e materialeve zgjedhore dhe mos hapja e fletëve të votimit pasi janë e njëjta gjë pavarësisht që ndarja e tyre është vetëm çështje teknike. Duke qenë se janë të dyja kuti, përse duhet të ndahen, pse të përdoren dy standarde. Për të dyja të shprehet gjykata dhe nëse shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, të vendoset atje nëse duhen hapur ose jo kutitë. Nëse pranohet një paligjshmëri për të hapur materialet e votimit atëherë duhet të pranohet edhe ajo për hapjen e fletëve të votimit dhe kjo nga ana juridike është në kundërshtim me ligjin”, u shpreh ish kreu i KQZ-zë.
Ai vuri në dukje më tej se rruga përmes po së cilës po ecën opozita nuk është e duhur pasi nuk mund të zëvendësohet gjykata me grevë urie dhe protesta.
Duke ju referuar qëndrimit të ndërkombëtarëve e më konkretisht, deklaratave të Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Byrosë Parlamentare të tij, ish-kreu i KQZ-së Gjata thotë se zgjidhja duhet të jetë institucionale dhe në përputhje me Kushtetutën e Kodin Elektoral, të miratuar me konsensus nga të dy palët.
“Zgjidhja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të vijë në rrugë institucionale. Po u cenua ky parim, ajo është antikushtetuese. Dispozita e Kodit e thotë qartë se kutitë hapen vetëm për t’u mbyllur kjo histori dhe nuk hapen materialet, pa u hapur dhe kutitë e fletëve, të cilat më pas, digjen”- deklaroi juristi Gjata.
Ish-kreu i KQZ-së shprehet skeptik, teksa thotë se kompromisi i ofruar vjen në një kohë kur opozita nuk heq dorë nga protestat dhe greva e urisë. Sipas tij, kjo nuk është gjë tjetër veçse një formë presioni, që e artikuluar në kushte të tilla, shton ish-kreu i KQZ-së, nuk mund të prodhojë zgjidhje të ngërçit politik në vend.
Gjata vëren gjithashtu se marrëveshja mes palëve për zgjidhjen e krizës duhet të jetë në zbatim të kushtetutës së vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›