Kampistët e çadrave, shkojnë e vijnë - greva, jotransparente
Reagon Partia Demokratike
Partia Demokratike reagoi përsëri dje ndaj grevës së urisë së Partisë Socialiste, duke deklaruar se ajo nuk është transparente dhe se Rama po shkel çdo të drejtë themelore të njeriut. Deputeti demokrat, Gerti Bogdani, u shpreh se greva e urisë e socialistëve ka shumë pikëpyetje, duke filluar nga mos hyrja e Ramës poshtë çadrave të mbylluara ku vazhdon të mbajë deputetët dhe simpatizantët e tij e deri te transparenca e munguar e grevës së urisë. “Jam këtu për të shprehur keqardhjen për deputetët në kampingun para kullave të Fidelit. Unë nuk keqkuptoj as ato kampistë të cilët shkojnë e vijnë; as ato që kthehen dhe ikin prapë. Ne nuk keqkuptojmë as frikën që z. Rama ka për t’ju bashkuar kampingut të Bulevardit. Pavarësisht se ne nuk keqkuptojmë kampingun e fushimit, pavarësisht se ne përpiqemi t’ju mirëkuptojmë edhe kur s’gjejmë kuptimin, pas kaq ditësh askush nuk kupton më: Pse z. Rama nuk lejon transparencë brenda çadrave? Pse z. Rama nuk lejon Shërbimin Shëndetësor dhe psikologjik? Pse z. Rama nuk i bashkohet Kampingut para kullave të Fidelit? Pse z. Rama detyron gratë të flenë në rrugë të madhe? I rikujtojmë z. Rama se vetëm ai është personi përgjegjës për çdo gjë” - u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Reagimi i PD-së vjen në një kohë kur Edvini paralajmëron për të tjerë simpatizantë të gatshëm, për të hyrë në grevë urie, duke thelluar kështu pikëpyetjet mbi institucionalizimin e kësaj greve urie, nga ku ngrihet një tjetër shqetësim, ai i përdorimit të shumave marramendëse të parave, destinacioni i të cilave vihet në shërbim të sakrificës ushqimore të njerëzve.