E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punëve Publike, padit penalisht për shpërdorim detyre ish ministrin e Transporteve, Spartak Poçi

12 milionë euro është krimi që i ka shkaktuar shtetit, Spartak Poçi gjatë kohës që ka qenë ministër i Punëve Publike në qeverisjen socialiste, përmes kontratës së nënshkruar me "General Electrics Transportation System, Athena”, për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës.
Poçi ka ndërhyrë vetë personalisht duke kërkuar procedim të menjëhershëm të kontratës në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, respektivisht në mungesë të dhënies së pëlqimit (ratifikimit) në Kuvend të marrëveshjes së huasë. Pikërisht këto kanë shërbyer si provë për konsorciumin në fjalë, e cila fitoi gjyqin kundër shtetit shqiptar, duke përfituar një dëmshpërblim prej 20 milionë euro.


Ministri i Punëve Publike dhe Transportit me cilësinë e zyrtarit që ka marrë dijeni për çështjen, respektivisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit ICC në Romë (përfundimtar), dokumentacionit të depozituar nga përfaqësues të Shtetit Shqiptar dhe Avokaturës së Shtetit pranë kësaj dhome, e fakte të lidhura me këtë gjykim, ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në dijeni të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës zj.Ina Rama, kallëzimin penal ndaj ish Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit z. Spartak Poçi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, e kryer gjatë komunikimit të Ministrit Poçi me subjektin “General Electrics Transportation System, Athena” (ILIRIA Consortium) S.a, për shkak se ka dyshime të arsyeshme, në kryerjen e një krimi i cili kushton sot të paktën 12 milion euro, Shtetit Shqiptar, faturë e cila rritet çdo ditë për shkak të interesave. Komunikimi që mban firmën e z.Poçi, dhe mosparaqitja e tij personalisht në gjykimin e Arbitrazhit sipas rregullave proceduriale për të dhënë sqarimet e nevojshme në lidhje me këtë komunikim të paraqitur nga “General Electrics Transportation System, Athena” (Iliria Consortium) S.a, kanë qenë të rëndësishme për vendimin. Mosmarrëveshja objekt shqyrtimi në Gjykatën e Arbitrazhit ka qenë kontrata e datës 15 shtator 2003, për modernizimin e seksioneve të Hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Aeroportit Rinas. ‘‘Njoftimi për të proceduar’’, komunikimi i ish ministrit z. Poçi, i datës 3 dhjetor 2003, ku kërkohej procedimi i menjëhershëm i një pjesë të kontratës, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, respektivisht në mungesë të dhënies së pëlqimit (ratifikimit) në Kuvend të marrëveshjes së huasë, pjesë përbërëse e kësaj kontrate, ka shërbyer në mënyrë të veçantë si provë në favor të “General Electrics Transportation System, Athena" (Iliria Consortium) s.a, kundër Shtetit Shqiptar në këtë proces.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›