E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argita Malltezi: Rezart Taçi, jo klient i studios sime



Në një deklaratë për mediat, Argita Malltezi reagoi dje për mediat pas një shkrimi në të përditshmen “Tema”, e cila shkruante se biznesmeni Rezart Taçi është klient i studios ligjore që ndodhet në pronësi të Malltezit. Vajza e Kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, e cilësoi këtë shkrim si një shpifte dhe deklaroi se Rezart Taçi nuk ka qenë asnjëherë klient i studios së saj ligjore. Në të njëjtën deklaratë, Argita Malltezi shprehet e gatshme t’i përgjigjet kujtdo që pretendon se ka prova për të kundërtën. “Sot në fletushkën personale “Tema”, pronari dhe gazetari i saj, Mero Baze, vijoi me shpifjen e radhës, sipas të cilës, Rezart Taçi ka qenë klient i studios sime ligjore. Sqaroj me përgjegjësi të plotë se Rezart Taçi në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk ka qenë klient i studios sime. Jam e hapur t’i përgjigjem çdokujt që pretendon se ka prova për të kundërtën”, - tha Malltezi në deklaratën e saj dhënë për mediat. Po në të njëjtën deklaratë, Malltezi akuzon drejtuesin e gazetës, Mero Baze, për shpifje. Ajo deklaroi se Baze ka qenë klient i zyrës së saj ligjore. Në të njëjtën deklaratë, Argita Malltezi shprehet se Baze ka kërkuar nga studioja e saj rimarrjen pa shpërblim të gazetës “Tema”, pasi më parë e kishte shitur atë në qindra miliona lekë. Malltezi shprehet se studioja e saj e refuzoi një kërkesë të tillë, duke ia bërë të qartë Bazes se një praktikë e tillë konsiderohej si pastrim parash. “Në fakt, e vërteta është se Mero Baze ka qenë klient i studios sime deri në kohën kur studioja i refuzoi të përpilonte sipas kërkesave të tij një praktikë për rimarrjen pa shpërblim të gazetës “Tema”, të cilën ai më parë e kish shitur me një çmim qindra milionësh. Kur ne i bëmë të qartë se një praktikë e tillë binte erë pastrimi parash, z. Baze vendosi të mos ishte më klient i studios sonë dhe nisi serinë e tij të shpifjeve”, - deklaroi Argita Malltezi. Ajo shpreh më tej keqardhjen për ngjarjen e fundit dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj Mero Bazes. "Duke qenë e detyruar të bëj këtë përgënjeshtrim, gjej rastin të shpreh keqardhjen e thellë dhe t’i uroj shërim z. Baze si dhe të dënoj ashpër dhunën ndaj tij dhe cilitdo gazetari tjetër si një akt absolutisht të papranueshëm dhe që lëndon mbarë shoqërinë”, - mbyllet deklarata e Argita Malltezit. Vajza e Kryeministrit ka përgënjeshtruar shkrimet sipas të cilave ajo ka qenë avokate e qeverisë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, në një sqarim zyrtar, tha se Malltezi nuk ka qenë asnjëherë në funksionin publik. Sipas Inspektoratit, Malltezi ka kryer detyrimin e saj sipas ligjit për bërë deklarimin e pasurisë. Si vajzë e Kryeministrit, ajo ka këtë detyrim ligjor, që sipas Inspektoratit është përmbushur.

Reagimi i plotë i Argita Malltezit

Sot në fletushkën personale “Tema”, pronari dhe gazetari i saj, Mero Baze, vijoi me shpifjen e radhës, sipas të cilës, Rezart Taçi ka qenë klient i studios sime ligjore.

Sqaroj me përgjegjësi të plotë se Rezart Taçi në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk ka qenë klient i studios sime. Jam e hapur t’i përgjigjem çdokujt që pretendon se ka prova për të kundërtën.

Në fakt, e vërteta është se Mero Baze ka qenë klient i studios sime deri në kohën kur studioja i refuzoi të përpilonte sipas kërkesave të tij një praktikë për rimarrjen pa shpërblim të gazetës “Tema”, të cilën ai më parë e kish shitur me një çmim qindra milionësh. Kur ne i bëmë të qartë se një praktikë e tillë binte erë pastrimi parash, z. Baze vendosi të mos ishte më klient i studios sonë dhe nisi serinë e tij të shpifjeve.

Duke qenë e detyruar të bëj këtë përgënjeshtrim, gjej rastin të shpreh keqardhjen e thellë dhe t’i uroj shërim z. Baze si dhe të dënoj ashpër dhunën ndaj tij dhe cilitdo gazetari tjetër si një akt absolutisht të papranueshëm dhe që lëndon mbarë shoqërinë.

Argita Malltezi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›