Peticioni i opozitës, firmat në letër të bardhë
Peticioni i opozitës me firma nga populli, i cili pritet të marrë formën e një projektligji, pret akoma firma të simpatizantëve të PS-së, por ndryshe nga ç’mund të mendohet, këto firma, në vend që të vihen në fund të një dokumenti ku shkruhet e zezë mbi të bardhë se çfarë do t’i kërkohet Parlamentit me anë të këtij ligji, vihen në fakt në disa fleta bosh. Burime nga selia e PS-së bënë të ditur për “standard” se në sportelin e kësaj partie janë lënë disa formularë për t’u firmosur nga njerëz që vijnë vullnetarisht për ta bërë këtë. Por, siç mësohet, jo çdo simpatizant i opozitës ka preferuar të hedhë firmën e tij në një letër të bardhë pa e ditur se për çfarë do të përdoret kjo firmë, kështu që shumë prej tyre janë tërhequr. Kërkesës së këtyre vullnetarëve për të parë projektligjin punonjës të administratës socialiste i janë përgjigjur se “e kanë shefat”, duke nënkuptuar se në fakt as ata vetë s’e dinë se çfarë përmban konkretisht ky draft. Sipas burimeve në PS, projektligji po hartohet nga një prej sekretarëve të PS-së, Fatmir Xhafa. Por, fakti që nuk bëhet publik deri në këto momente, lë të kuptohet se atij nuk i është dhënë dora e fundit dhe kuptohet se çdo formulim që do të bëhet në këtë projekt, do të jetë i rëndësishëm, duke pasur parasysh bojkotin e Kuvendit. Nuk është hera e parë që PS mban të fshehtë një dokument të rëndësishëm që ka në dorë të ardhmen e aksionit të saj politik. E njëjta gjë ndodhi dhe me programin politik për zgjedhjet, për të cilin u fol shumë, por askush nuk e pa në dritën e diellit.
Deri më tani është folur se në këtë draft do të kërkohet hetim i zgjedhjeve të 28 qershorit. Po deri këtu edhe mazhoranca s’ka asnjë kundërshtim, madje vetë Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje PS-së të vijë në Kuvend dhe të ngrihet komisioni hetimor me shumicën e opozitës për të bërë të mundur këtë hetim. Por, ajo që mbetet për t’u parë, është kërkesa e ripërsëritur e Edi Ramës për hapjen e kutive të votimit, moment ku mazhoranca nuk toleron, me arsyetimin se dilet mbi vendimet e gjykatës. Për të pasur forcën që të vërë në veprim Parlamentin ky draft kërkon të paktën 20 mijë firma. PS nuk bën të ditur se sa janë hedhur deri më tani në fletët e bardha që shpërndahen në mitingje apo takime të tjera me militantët. Gjithsesi, burimet nga PS-ja shtojnë se Rama pretendon të mbledhë sa më shumë firma, duke e parë këtë shifër si një mundësi imponimi për mazhorancën dhe jo si një numër që do t’i shërbejë nenit përcaktues të Kushtetutës për raste të tilla.