E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e rënduara, qeveria në gjendje gatishmërie



Situata pas reshjeve të rënduara në vend ka detyruar qeverinë të vihet në gjendje alarmi dhe gatishmërie. Kryeministri Sali Berisha është vënë në dije për situatën dhe ka porositur strukturat shtetërore të qëndrojnë në gatishmëri maksimale. “Kryeministri Berisha po ndjek me vëmendje situatën e krijuar në kaskadën e Drinit dhe prefekturën e Kurbinit, rrethin e Lezhës, në zonën e Porto Romanos dhe zona tjera të vendit, nga reshjet e mëdha të shiut, si dhe masat e ndërmarra nga ministritë dhe agjencitë e tjera, për kapërcimin e pasojave të tyre”, - thuhen në njoftimin zyrtar. Në të njëjtën njoftim, bëhet e ditur se kryeministri ka kërkuar që situata të mbikëqyret në vazhdimësi. Ai ka kërkuar mirëfunksionimin e hidrovorëve si dhe ka kërkuar që emergjencat civile të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo pasojë nga situata e krijuar. “Kryeministri Berisha ka porositur mbikëqyrjen e vazhdueshme të situatës në tërësi dhe funksionimin e hidrovorëve në veçanti si dhe gatishmërinë e plotë te Emergjencës Civile për situatën e krijuar”, - thotë njoftimi.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë ka ngritur një grup pune të posaçëm për përballimin e situatës. Ministri Dritan Prifti thirri dje ne takim urgjent përfaqësues të shoqërive energjitike OSSH, OST, KESH dhe organet drejtuese të ministrisë për të trajtuar situatën e krijuar nga reshjet e shumta. Nisur nga situata e rënduar hidroenergjitike, për shkak të reshjeve të shumta dhe në zbatim të “Rregullores së shkarkimit të plotave në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”, ministri Prifti urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për monitorimin 24 orë të situatës hidroenergjitike në vend.

Më këtë takim u vendos që grupi i punës të kryesohet nga zëvendësministri Leonard Beqiri dhe menjëherë grupi nisi nga analiza e situatës. Sipas detyrave të ngarkuara, u vendos që të analizojë pa ndërprerje gjatë 24 orëve, deri në normalizimin e gjendjes, situatën e plotave në hidrocentralet e lumit Drin dhe të informojë dhe propozojë vendime në përputhje me “Rregulloren mbi shkarkimet e plotave ne hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”. Grupi i punës do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme furnizimin me energji elektrike të stacioneve të hidrovorëve dhe të propozojë masa për zgjidhjen e problemeve të krijuara. Grupi i punës do të kërkojë mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të ngritur në zbatim të kësaj rregulloreje për situatat që janë në kompetencën e këtij komisioni, ku raporton për situatën dhe propozon masat për mënyrën e shkarkimit të plotave në hidrocentralet e lumit Drin.

Gjithashtu, ky grup pune do të informojë ministrin e Ekonomisë çdo një orë dhe Kryeministrin çdo 4 orë për situatën. Duke pasur parasysh situatën, ministri Prifti anuloi nisjen sot për në Forumin Ekonomik të Vjenës, pikërisht për të ndjekur nga afër këtë situatë dhe u nis menjëherë për një vizitë inspektimi në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Sipas ministrisë, gjendja po shkon drejt normalizimit dhe është nën kontroll të pandërprerë.

Prifti: Do të eksportojmë energji

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, deklaroi dje se hidrocentralet janë në punë të pandërprerë pas situatës së rënduar nga reshjet. Aktualisht po prodhohet një sasi e konsiderueshme energjie të cilën KESH do të fillojë ta eksportojë. Prifti tha se ministria ka kontaktuar kompanitë e importit të energjisë dhe ka rënë dakord me to që të ndërpritet importi. Në vend të tij, KESH do të eskortojë energji. Në këtë mënyrë, pavarësisht situatës së rënduar nga një anë për shkak të përmbytjeve, uji po përdoret për prodhim energjie. “Ne do të nisim eksportimin e 2.5 milionë kilovat orëve në ditë”, - tha Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›