E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, në krye të aksionit për përvetësimin e tokave të Parkut “Rinia” – lokali gjigand u ngrit me tjetërsimin e paligjshëm të truallit publik

Dossier/ Në vëmendje të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama


Viti i parë i mandatit të Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, qe “i mbarë”, për sa u përket abuzimeve me tjetërsimin e trojeve publike. Pikërisht, në vitin 2001, “inventari” i morisë së ndereve që Edi Rama bënte për miqtë e tij biznesmenë, pasurohet veç rrugës që i fali Dash Pezës, edhe me një pjesë të konsiderueshme të Parkut “Rinia”, të cilën ia fali biznesmenit Besnik Sula, që nga ana e tij e dyfishoi sipërfaqen e Bar “Taiwani”-it. Në këtë abuzim të radhës, Edi Rama pati edhe mbështetjen e një këshilltari bashkiak, i cili përfaqësonte PD, botues i një gazete të përditshme, i cili më pas gazetën ia shiti dhe ia ribleu pronarit të “Taiwan”-it, duke lënë gjurmët e pastra të “pastrimit të parave”. Këto gjurmë abuzimi me trojet publike, por edhe me pastrim parash, vetëm Prokuroria nuk po arrin t’i shohë.


Besnik Sula e shtoi sipërfaqen e “Taiwan”-it, duke mos respektuar as vendimin e KRRT-së Historia e përvetësimit të pronës publike në parkun “Rinia”, nga Besnik Sula, pronari i Bar “Taiwan”-it, përveçse dëshirës së Edi Ramës për ta ndihmuar “ortakun” e tij, është pasuar edhe me “orekse” të mëdha, për të përfituar gjithnjë e më shumë sesa “nderet” e kryebashkiakut. Treguesi, më i mirë i kësaj është shtimi i sipërfaqes së ndërtimit nga ana e Besnik Sulajt, thuajse në masën e dyfishit, nga ç’kishte vendosur KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës. Sigurisht pronari i “Taiwan”-it këtë nuk e ka bërë edhe aq “me kokë të vet”, përderisa, për sipërfaqen shtesë të ndërtimit pa leje, ai jo vetëm nuk u këshillua a penalizua nga Edi Rama, policia bashkiake, apo edhe ajo ndërtimore, por u ndihmua më pas, për legalizimin e saj, kur ende nuk kishte dalë as një ligj për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Sipas Vendimit Nr 48. të datës 21 korrik 2001 të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës, mësohet se ishte miratuar leja për destinacionin e sheshit të ndërtimit, për llogari të Besnik Sulajt. Sipas këtij vendimi, i cili ishte nga ana tjetër edhe një vendim për leje ndërtimi, përcaktohej se sipërfaqja e sheshit është 1815 m2 dhe sipërfaqja e ndërtimit 1454 m2. Koeficienti i shfrytëzimit është 0.8. Rrjedhja e mëpastajme e procesit të ndërtimit të Bar “Taiwan”-it, dëshmoi se përkundër lejes së ndërtimit, sipërfaqja e tij, arriti në 3125 m2, nga 1815 m2, që ishin dhënë sipas lejes së ndërtimit të datës 21 korrik 2001.


Edi Rama ia shiti tokën pronarit të kompleksit, pasi kishte përfunduar ndërtimi i “Taiwan”-it Rreth 4 vjet pas dhënies së lejes së ndërtimit, kur kjo leje nuk ishte respektuar dhe kur abuzuesit me këtë leje, nuk i kishte dalë asnjë pengesë nga strukturat përgjegjëse të Bashkisë së Tiranës, apo strukturat qendrore, Edi Rama filloi të kujdesej për legalizimin e shtesës pa leje, duke filluar më parë, procedurat e shitjes së truallit shtesë, në kundërshtim me kompetencat e bashkisë, e cila nuk ka asnjë të drejtë në shitjen e trojeve publike. Sigurisht, Edi Rama i kishte siguruar punët, që “legalizimin” e abuzimit të vet, ta bënte me ndihmën e këshillit bashkiak. Për këtë arsye, në mbledhjen e tij të datës 17 shkurt 2005, Këshilli Bashkia i Tiranës, me vendimin e tij Nr. 2 vendos “shitjen e sipërfaqes së truallit prej 1310 m2 shoqërisë “Taiwan” sh. p. k., pasuria Nr. 7/187, zona kadastrale 8380 ndodhur në rrugën ‘Dëshmorët e 4 shkurtit’” Nëpërmjet të njëjtit vendi, Këshilli Bashkiak i Tiranës, miraton edhe çmimin e shitjes së kësaj sipërfaqe trualli. “Çmimi i shitjes dhënë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tirana 1, është 12000 lekë m2. Në këtë vendim të tij, Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka marrë përsipër tjetërsimin e një prone publike, që nuk ishte në inventarin e Bashkisë së Tiranës.


Pronari i “Taiwani”-t, mik dhe ortak i pronarit të Gazetës “Tema”


Mero Baze, ish-anëtar i këshillit Bashkiak, votoi për shitjen e tokës Besnik Sulajt Në mbledhje e Këshillit bashkiak të Tiranës, të datës 17 shkurt 2005, ndër anëtarët e këtij këshilli që votoi “pro” shitjes antiligjore të 1310 m2 tokë, Besnik Sulajt, ishte edhe Mero Baze, atëherë këshilltar i PD-së. Pas kësaj vote, faktet, të bëra të ditura publikisht dhe të pranuara nga Mero Baze, treguan se midis botuesit të gazetës “Tema” dhe pronarit të “Taiwan”-it, u ndërtuan marrëdhënie biznesi. Sipas këtyre marrëdhënieve, Mero Baze ia shiti gazetën Besnik Sulajt me një çmim prej 500 mijë euro dhe pas dy vjetësh, ia bleu sërish me tarifën “falas”. Ky veprim, më tepër se një shitblerje, mendohet se ishte një transaksion që kishte për qëllim, në rastin më të keq, pastrimin e parave, dhe në rastin më të mirë, “shpërblimin” për botuesin e “Tema”-s, nga pronari i “Taiwan”-it, jo aq për votën në Këshillin Bashkiak të datës 17 shkurt 2005, sesa për marrjen përsipër dhe “mbylljen” e gojës, për të gjitha mediat, në tentativën e tyre për të pasqyruar këtë skandal. Sipas arkivave të medieve, mësohet se të nesërmen e votimit të këshillit bashkiak, por edhe në ditët e tjera, asnjë gazetë (veç gazetës “55”), nuk ka denoncuar skandalin e shitjes antiligjore të 1310 m2 tokë, nga Edi Rama, për Besnik Sulajn, me “çertifikimin” e Këshillit Bashkiak.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›