E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argita: Po, jam këshilltare e Damir Fazlliç

Nga Tema

E bija e kryeministrit shqiptar, Argita Malltezi, përmes një deklarate për mediat bëri të ditur dje se Damir Fazlliç është një klient i saj. Ajo tha se nuk ka kryer asnjë shërbim për zotin Fazlliç që lidhet me sektorin publik. Por, askush nuk ka thënë asgjë në këtë drejtim. Firma ligjore e zonjës Malltezi, d.m.th., ortakja Kola, të cilën e pranon si të tillë dhe ajo, është akuzuar se është përfshirë në një transfertë të dyshimtë parash, e bërë sigurisht nga subjekte private. “Dëshiroj të sqaroj publikun për ato që unë i konsideroj momentet më të rëndësishme në lidhje me aktivitetin tim: Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet (pra fonde) publike apo mbi asete shtetërore. Në këtë kontekst, shërbimet e kryera nga studioja ime për z. Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik”, - tha Malltezi.

Ajo deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pronave në Porto Romano, edhe pse në dokumentet e firmave që kanë blerë prona aty rezulton emri i studios së saj.

Edhe pse këto i duken shpifje, zonja Maltezi tha se e ka kod moral familjar që të mos i drejtohet drejtësisë. Në një intervistë të muajve më parë, ajo kishte deklaruar të kundërtën, kur kishte kërcënuar mediat se do i çonte në gjyq.

“Shpreh bindjen se shumë shpejt të gjitha këto interesa do të zbardhen për publikun, duke lënë lakuriq në imoralitetin e tyre fabrikuesit e shpifjeve. Individët dhe grupet që kanë si bukë të përditshme mashtrimet, mbrohen nga fakti që unë, për një kod moral të familjes sime, nuk i drejtohem gjykatës. Dua t’u kujtoj atyre, se pavarësisht nga kjo, të gjitha mashtrimet e hedhura deri me sot në adresën time për konsum politik janë sfumuar për arsyen e vetme se asnjëra prej tyre nuk e ka kaluar dot testin e të vërtetës. Çdo detaj i aktivitetit tim profesional është tërësisht konform rregullave dhe ligjeve në fuqi. Pas çdo stuhie vjen kohë e mirë, dhe në dritën e diellit nuk mund të fshihet as e vërteta e as mashtrimi”, - përfundon deklarata e Malltezit.

Breçani: Nuk kam audituar kompanitë e Fazlliçit

Një tjetër e afërme e kryeministrit Berisha, mbesa e tij, reagoi dje pas akuzave se është e pleksur në aferat e Damir Fazlliçit. Shpresa Breçani, eksperte kontabël, ashtu si kushërira e saj, nuk reagon për asnjë moment në deklaratën e saj në lidhje me atë çfarë është shkruar konkretisht në gazetën “TemA”, por, pasi lëshon një lumë fyerjesh për mediat, thekson se ajo ka bërë eksperten kontabël dhe për kompaninë tonë.

Breçani, mbesa e Berishës, thotë se nuk ka audituar asnjë nga kompanitë e Damir Fazlliçit. “Dua të sqaroj qartësisht opinionin se nuk kam patur asnjë lidhje me firmat e biznesmenit Damir Fazlliç, nuk kam mbajtur dhe as nuk kam audituar asnjë nga këto kompani, edhe pse ma lejon ligji”, - thotë Breçani.

Në asnjë moment zonja Breçani nuk është akuzuar se ka audituar disa kompani që janë të zotit Fazlliç.

Gazeta “TemA” ka raportuar në shkrimet e saj dhe sqaron sërish se ne kemi denoncuar një aferë të madhe me likuidimin e dy kompanive të “Rompetrol”-it, të cilat ishin gjobitur me 1 milion euro, dhe që për të shmangur këtë gjobë realizojnë likuidimin e tyre, nën kujdesin e zonjës Breçani dhe më pas lindin dy kompani të tjera, sigurisht të “Rompetrol”-it, por me prapashtesa të ndryshuara, dhe në kompanitë e reja shfaqet emri i Fazlliç, që ka bërë sekserin në këtë aferë. Prandaj, zonja Breçani duhet të përgjigjet për këtë çështje dhe për faktin se si ka mundësi që emri i saj shfaqet përkrah kushërirës së saj, Argita, e përkrah një ministri, bir në shpirt i kryeministrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›