Berisha në konflikt me Perëndimin për Fazlliçin
Qeveria shqiptare është futur në një spirale konflikti me përfaqësuesit e gjitha vendeve perëndimore në Tiranë, pas sulmit të qartë politik që ajo ndërmori ndaj institucionit të Prokurorisë. Sulmet nisën, pasi prokuroria njoftoi se ka regjistruar nisjen e procesit penal ndaj shtetasit Damir Fazlliç.
Kryeministri, Sali Berisha, e mbrojti atë publikisht si mik të tij dhe tha se do të ngrejë një komision hetimor parlamentar për kryeprokuroren, Ina Rama dhe do të kërkojë hetim ndërkombëtar, nëse zoti Fazlliç ka përfituar apo jo nga pronat publike.
Kjo shkaktoi menjëherë një reagim të fortë ndërkombëtar dhe vulosi raportet konfliktuale të qeverisë me institucionin e Prokurorisë. Kjo natyrisht është një kosto e madhe për shumicën në pushtet. Por problemi është se kjo kosto nuk buron nga trashëgimia politike e shumicës dhe as nga ndonjë problem i keqqeverisjes së saj, por nga një problem personal i kryeministrit. Është rast i paprecedent, që një kryeministër hedh në luftë gjithë pushtetin e tij, gjithë ministrat, gjithë deputetët dhe gjithë partinë në pushtet, t’i dalin zot një personi të akuzuar si sekser, jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të rajonit. Është kosto e madhe, që jo për faj të shumicës në pushtet, por për shkak të lidhjeve familjare të kryeministrit, shumica të penalizohet prej gjithë diplomatëve perëndimorë si konfliktuale me institucionet e drejtësisë. Është kosto e madhe që një shumicë në pushtet të vërë në pikëpyetje pushtetin e saj, vetëm se media zbulon që familja e kryeministrit ka një sekser që operon në Shqipëri përmes firmave të dyshimta të fabrikuara në Qipro dhe sillet si financier i familjes në pushtet.
Shumë ministra, deputetë dhe gazetarë pro qeverisë janë të përfshirë në një betejë joproduktive për të mbrojtur një njeri që nuk e njohin dhe për të sulmuar një kryeprokurore që e njohin dhe që e kanë zgjedhur vetë.
I njëjti problem duket se po del dhe për Partinë Demokratike. Shtypi herëpashere ngre akuza ndaj kryeministrit dhe sjelljeve të tij të paligjshme në raport me favorizimin e miqve të familjes së tij dhe në vend të kryeministrit apo zyrës së tij, përgjigjet një zëdhënës qesharak i PD. Ky inkriminim i çdo qelize të pushtetit në mbrojtje të familjes në pushtet, është primitivizëm dhe një standard shumë i ulët për një Parti që pretendon të jetë demokratike.
Si përfundim dua të them se shumica në pushtet po rrezikon pushtetin, për shkak se po përdoret si mburojë e familjes në pushtet, një kosto kjo e panevojshme për ata mijëra shqiptarë që kanë mbështetur shpresat për luftë kundër korrupsionit në vitin 2005. Mënyra më e mirë që kryeministri Berisha të provojë se miku i familjes së tij, Fazlliç, nuk është i përfshirë në afera korruptive, është që ai ta lërë drejtësinë të qetë, madje ta inkurajoj në hetime. Sulmi ndaj saj e kompromenton atë ende pa nisur hetimi dhe ngre dyshime serioze për atë dhe miqtë e familjes së tij