E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Pjesëmarrja e të huajve në hetim do e bënte vendimin më atraktiv

Nga Armand Maho

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha dje se një komision parlamentar do të nxjerrë përgjegjësitë për përplasjen ndërinstitucionale që ka lindur ditët e fundit. “Unë besoj që përplasja ndërinstitucionale është një çështje që nuk duhet të ndodhë, një histori e pakëndshme, ndaj dhe kemi kërkuar një hetim parlamentar, që një trupë parlamentar të nxjerrë konkluzionet e duhura se kush i ka përgjegjësitë dhe kush do i mbajë ato”, - tha Patozi.

Por, duke folur për hetimin ndërkombëtar për rastin ‘Fazlliç’, Patozi tha se, nëse një grup ndërkombëtar hetuesish do të bashkëpunonte për të zbardhur të vërtetat e ngjarjes, kjo do e bënte rezultatin e hetimeve thjesht atraktiv.

“Ajo që po kërkon qeveria është një sfidë e pastër politike, ku i thuhet opozitës se, në rast se një për qind e pretendimeve të tyre qëndrojnë, ato të verifikohen nga një trup hetuesish ndërkombëtarë dhe hetuesish shqiptarë, e cila do ta bënte rezultatin e hetimit më atraktiv”, - tha nënkryetari i PD, Patozi. “Hetimi ndërkombëtar bëhet me iniciativën e qeverisë për dy çështje, në mënyrë që ekspertët e huaj t'i bashkëngjiten trupës së ekspertëve shqiptarë për të arritur në një konkluzion të përbashkët për implikimin e mundshëm të qeverisë në çështjen ‘Fazlliç’, si dhe është një sfidë e pastër që qeveria ia bën opozitës, dhe opozita duhet ta mbështeste, por në fakt ka ndodhur e kundërta”, - vijoi Patozi.

Duke komentuar problemin e madh që lind në këtë moment, pikërisht delegjitimimin e prokurorisë në Shqipëri, Patozi tha se një hetim i tillë do vendoste një standard ndërkombëtar hetimi në Shqipëri. “Rama i druhet vendosjes së një standardi të hetimit ndërkombëtar në Shqipëri, që mund t’i sjellë Edi Ramës shumë andralla”, - tha Patozi.

Duke folur në lidhje më çështjen e përzgjedhjes së ekspertëve ndërkombëtarë për hetim tha: “Unë kam si synim zbardhjen e të vërtetave për këto dy parime të lartpërmendura. Është një pyetje mjaft interesante se kush do t’i përzgjedhë ata. Ata do t’i përzgjedhin qeveritë e vendeve mike, me besimin më të plotë. Nuk mund të përzgjedhim ne ekspertët e huaj, sepse nuk kemi një listë të tyre. Ne do t’u adresohemi qeverive të vendeve mike dhe ato do t’i caktojnë, pasi edhe ato janë thellësisht të interesuara për rregullat e tregut, sepse një nga kushtet kryesore të këtij vendi për t’u integruar në Evropë, është ekonomia funksionale e tregut. Ekonomi funksionale e tregut do të thotë që “dora e shtetit” të rrijë larg sektorit privat, në mënyrë të paligjshme.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›