E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e Fazlliçit me borxhe në tatime

Nga Tema

Kompania “Crown Acquisitions” sh.p.k., me pronar të vetëm Damir Fazlliç dhe administrator të vetëm Erion Isufin, deri në mes të vitit 2007 rezulton me detyrime tatimore, pasi nuk ka paguar tatimin mbi fitimin dhe sigurimet shoqërore deri në shtator të vitit 2008. Kompania ka ndërruar pronar më 20 qershor 2007, duke u bërë pronë e “Altaria Research Limited”, e përfaqësuar nga avokatja Flutura Kola, bashkëpronare në studio me Argita Berishën. Fazlliç për herë të fundit ka thënë se ai është pronar dhe i kompanisë qipriote. Në të vërtetë, hetimet na çojnë se përfaqësia reale e kësaj kompanie në Shqipëri është dhe pronësia reale e saj. Por, duke mbetur te deklaratat e Fazlliçit, ne verifikuam zyrtarisht në taksat dhe tatimet e Shqipërisë se si është bilanci i kësaj kompanie. Zyrtarisht, askush nuk të hap derën, por zyrtarë korrektë të tatimeve na printuan pasqyrën e saj nga muaji mars 2007 deri në shtator 2008, kohë gjatë së cilës kompania “Crown Acquisitions” sh.p.k., ndërroi pronarë dhe administrohet formalisht prej avokates Flutura Kola që ka prokurë nga kompania qipriote.

Kompjuteri i tatimeve dëshmon se kjo kompani nuk ka paguar as tatim-fitimin dhe as sigurimet shoqërore. Gazeta po publikon dy fletët e printuara nga sistemi online i tatimeve, që verifikojnë klientelizmin e qeverisë me kompaninë e Fazlliçit.

Kompania ka një tatim-fitimi mujor 100 mijë lekë të reja, që nuk e ka paguar asnjë muaj dhe sigurime shoqërore në muaj 21 mijë lekë, që i bie që vetëm një person të jetë i siguruar në gjithë kompaninë.

Siç shihet nga tabela e mësipërme, TABELA 1, e printuar, në kolonën e dytë ku thuhet periudha, shihet qartë se që nga marsi i vitit 2007 deri në mars 2008 kompania nuk ka bërë asnjë pagesë tatimi mbi fitimin dhe as sigurimet shoqërore, edhe pse ato i përkasin vetëm shifrës që duhet të paguhet për një njeri, konkretisht administratorit.

Në tabelën e dytë po ashtu shihet se në kolonën e dytë, ku thuhet periudha prej marsit 2008 deri në shtator 2008, kohë në të cilën janë të dhënat e fundit të tatimeve, “Crown Acquisitions” sh.p.k., nuk ka paguar po ashtu as tatimet mbi fitimin, as sigurimet shoqërore dhe as gjobat. Shuma totale që kompjuteri nxjerr si borxh neto është 43.9035 lekë të reja. Edhe pse jo shumë e madhe, për shkak të inaktivitetit të shoqërisë, dëshmia tregon se kompania nuk është aktive dhe se nuk ka ndryshuar ende pronësinë, por figuron në emër të Damir Fazlliç.

Televizioni “News 24” tentoi dje ta merrte në rrugë zyrtare shkresën, por nuk mundi, pasi zyrtarët e tatimeve nuk ia dhanë. Ne po i botojmë këto shkresa të printuara nga kompjuteri i tatimeve, me shpresë se ata nuk do të guxojnë të bëjnë ndërhyrje.

Prokuroria ndërkohë mund të merret më seriozisht me hetimin e tyre dhe tolerimin e këtij evazioni fiskal.

Berisha: Fazlliç ka shlyer detyrimet si çdo biznesmen

Kryeministri, Sali Berisha, ka garantuar shqiptarët se Damir Fazlliç ka shlyer detyrimet si çdo biznesmen dhe se ai nuk është toleruar nga shteti shqiptar. Tabelat e mësipërme tregojnë qartë se Fazlliç nuk ka shlyer detyrimet dhe nuk është si gjithë biznesmenët e tjerë shqiptarë. Berisha duhet të zgjedhë mes shtetit dhe Fazlliçit, kur i referohet miqësisë me të. Ky është një dokument zyrtar që po e botojmë për të dëshmuar se Fazlliç është toleruar njësoj si fabrika e Gërdecit, me dy punëtorë të siguruar. Kjo është një dëshmi tjetër që provon vërtet miqësinë e tij me kryeministrin dhe klientelizmin e këtij të fundit për biznesmenët që i ka miq të familjes së tij.

Kur Damir Fazlliç e ka shitur kompaninë e tij, “Crown Acquisitions” sh.p.k. te kompania “Altaria Research Limited”, ai duhej të paguante 10 për qind të shumës së kontratës së shitjes që është 175 mijë euro, kurse shoqërisë “Altaria Research Limited” do t’i faturonte dhe një TVSH prej 20 përqindësh që e çon shumën e evazionit fiskal në 525 mijë euro. Kjo është një shumë e mjaftueshme që Fazlliç të arrestohet. Me sa duket, kjo ka shqetësuar kryeministrin që kërkon të shpikë ligje të reja për hetimin e miqve të tij duke kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërkohë që ai ka bërë një krim konkret në vendin tonë, sipas dokumenteve që kanë tatimet dhe sipas deklaratave të vetë atij. Nëse ka gjëra të tjera pas kësaj historie, janë hetimet ato që do ta nxjerrin. Kryeministri duhet të ketë durim të presë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›