BE: I bëjmë thirrje të fortë qeverisë të shmangë ndërhyrjet te prokuroria
Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, flet në “Vizion Plus”: Të gjitha këto do të përfshihen te progres-raporti që do publikohet së shpejti
Zoti Lohan, jemi në prag të progres- raportit për Shqipërinë. A mund të na përmblidhni diçka rreth përmbajtjes së tij?
Keni shumë të drejtë. Progres-raporti do të publikohet shpejt, por jo sot. Prandaj mua dhe ju do të na duhet të presim edhe pak kohë për të shuar kuriozitetin, pra deri në ditën e publikimit, më 15 nëntor.
Ka pasur sot një deklaratë të ambasadorëve të vendeve të BE. A mund të na thoni një opinion tuajin rreth debatit mes drejtësisë dhe qeverisë për çështjen ‘Fazlliç’?
Ka dy parime të rëndësishme në punën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të kryeprokurores. Së pari, mbështetja në ligj dhe, së dyti, pavarësia e punës së tyre.
Ne po ndjekim nga afër zhvillimet e ditëve të fundit, kemi parë me shumë kujdes deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e BE këtu në Shqipëri kanë dalë me këtë deklaratë, paraditen e sotme (djeshme):
“Ambasadorët e vendeve të BE, të akredituar në Tiranë, janë të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend. Ne i bëjmë thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është edhe llogaridhënia përballë ligjit.
Ne po shprehim pikëpamjet dhe shqetësimet tona, sepse besojmë se është e rëndësishme t’i dërgojmë një mesazh të gjitha palëve të përfshira në këtë debat. Natyrisht, në fund i takon palëve dhe përfaqësuesve të shtetit të vendosin, nëse janë të gatshëm të dëgjojnë zërin e komunitetit ndërkombëtar.
A mendoni se po tentohet me ligje, por dhe me qëndrime publike intimidimi i Prokurores së Përgjithshme?
Të paktën për Komisionin Evropian mund të them se po i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet e fundit dhe do të vazhdojmë të ndjekim me të njëjtin interes edhe reagimet mbi këto zhvillime. Dhe në progres-raportin që do të publikohet pas 3 javësh, padyshim do të zënë shumë vend të gjitha reagimet që do të vijnë nga Tirana.
Debati më i nxehtë është dhe ai mes drejtësisë dhe qeverisë për ligjin ‘Për prokurorinë’. Drafti i qeverisë a është asistuar nga EURALIUS?
Siç e përmenda edhe më lart, një prej kushteve kryesore në punën e Prokurorit të Përgjithshëm është mbështetja në ligj. Pikërisht kjo është një prej çështjeve që po merret parasysh në përgatitjen e ligjit të ri të prokurorisë, që ka mbetur ende rrugës, në Ministrinë e Drejtësisë. Por puna po ecën përpara edhe me asistencën e ekspertëve tanë, të cilëve iu referuat edhe ju, por edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Prokuroria e Përgjithshme. Dhe, sipas informacioneve që kam unë, puna mbi këtë ligj apo mbi këtë draft po shkon në drejtimin e duhur.
A mendoni se debati i qeverisë me institucionet e drejtësisë ka lidhje me hetimin e temave të nxehta, siç është Gërdeci, vdekja e Trebickës apo Fazlliç?
Që një demokraci të funksionojë, që një sistem të funksionojë, sipas rregullave dhe ligjeve, kjo varet nga ekzistenca e një sistemi të balancuar, të balancuar edhe mes institucioneve. Debati mes presidentit dhe Kuvendit mbi emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë përfundoi me emërimin e 6 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, 6 gjyqtarë të njohur. Unë besoj se, në fund të fundit, pas gjithë këtij debati, ne mund të shohim një sistem që funksionon. Shqipëria po eksperimenton, si një vend me demokraci të re, mekanizmat e “Check and balance”, siç e përmenda edhe më lart. Këto eksperimente sjellin edhe probleme, por, në rastin konkret, mund të themi se përfundoi me një zgjidhje të kënaqshme.
Si i gjykoni reformat kryesore të ndërmarra nga qeveria?
Çështja e këtyre reformave, debati mbi këto reforma natyrisht ka nisur përpara vdekjes së zotit Trebicka, dhe nuk është i lidhur me këtë vdekje. Në Shqipëri është shumë e dukshme nevoja për një reformë në sistemin e drejtësisë. Unë besoj se duhen pasur parasysh tri aspekte në reformën e drejtësisë: Pika e parë është fakti se debati duhet të jetë transparent, duhet të merret parasysh mendimi i të gjitha palëve ose duhen bërë ekspertizat e duhura ndaj këtij procesi, dhe kjo duhet bërë përtej debatit në parlament. Si shembull mund të marrim përgatitjen e ligjit të prokurorisë, për të cilin po përgatitemi intensivisht në Ministrinë e Drejtësisë.
Parimi i dytë i takon qëndrueshmërisë. Reformat nuk duhet të rishqyrtohen, sa herë ndryshon kreu i një ministrie apo vjen një qeveri e re. Prandaj është shumë e rëndësishme që këto reforma të arrihen me konsensus të gjerë.
Dhe, në fund, natyrisht këto reforma duhet të rrisin efikasitetin e të gjitha institucioneve që përfshijnë. Këto parime tashmë janë të ditura dhe ne po ndihmojmë qeverinë shqiptare që të arrijë t’i përmbushë ato.
Si e gjykoni mbrojtjen e dëshmitarëve në Shqipëri?
Mbrojtja e dëshmitarëve në një vend të vogël si Shqipëria është problem i veçantë. Shqipëria është një vend i vogël, ku pothuaj të gjithë njohin gjithë të tjerët. Vetë përmasat e vendit nuk lejojnë që dëshmitarët të fshihen me lehtësi apo që t’iu jepet ndonjë identitet i ri, apo aq më pak të fshihen mes turmës. E ndoshta ka edhe probleme financiare, kur bëhet fjalë për t’i pajisur me identitet të ri. Pra, unë shoh shumë vështirësi objektive në funksionimin e një sistemi të mirorganizuar për mbrojtjen e dëshmitarëve. Përmes programit tonë të asistencës ne do të ndihmojmë për të përmirësuar këtë mekanizëm.
Reforma zgjedhore mbetet sfida kryesore që nuk është mbyllur akoma. Si i shihni ndryshimet kushtetuese që prekën jo vetëm sistemin zgjedhor, dhe që pritet të sanksionohen në Kodin e Zgjedhjeve?
Shqipëria e ka zgjedhur sistemin e saj elektoral ose e ka ndryshuar sistemin e saj elektoral. Tani është e rëndësishme që zgjedhjet elektorale të vitit të ardhshëm të përgatiten dhe organizohen, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që ndoshta në qershor të vitit 2009, Shqipëria të përfundojë një proces të përgjithshëm zgjedhor, të lirë dhe të drejtë, pra të organizuar dhe drejtuar ashtu siç duhet. Kjo do të thotë se, veçanërisht listat e zgjedhësve duhet të përfundojnë mbi bazën e regjistrit të gjendjes civile, regjistër ky që ekziston. Në mënyrë të veçantë kjo do të thotë se puna mbi Kodin Elektoral duhet të përfundojë me konsensus, në një të ardhme shumë të afërt. Dhe kjo do të thotë edhe se, prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit do të arrihet sipas parashikimit. Ka ende shumë detaje që duhet të përfundojnë përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Por pika më e rëndësishme për momentin mbetet edhe një herë përfundimi i punës mbi Kodin Elektoral, përfundimi i listave të zgjedhjeve, dhe menaxhimi i procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit.
A ka kohë?
Unë besoj se ka ende kohë, por koha fluturon dhe tani po kthehet në urgjencë përfundimi i këtyre fazave përgatitore.
Si e shihni rolin e opozitës në këtë proces?
Një rol konstruktiv i opozitës është absolutisht thelbësor për reformat elektorale dhe ato të drejtësisë, sepse kjo është baza e funksionimit të demokracisë, për të cilat duhet konsensus i gjerë në të gjithë vendin, dhe konsensusi duhet në të gjithë parametrat, pasi është e rëndësishme që këto parametra të mos ndryshojnë, sa herë që ndërrohen qeveritë. Natyrisht, ju e keni vënë re muajt e fundit një klimë shumë herë më të mirë mes mazhorancës dhe qeverisë, dhe kjo klimë më e mirë ka dhënë impakte pozitive në të dyja fushat, si në sistemin elektoral, ashtu edhe në atë të drejtësisë.
Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, ministri Basha deklaroi se mori premtime për liberalizimin e vizave në vitin 2009. Sa realiste duket kjo?
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, zoti Basha e bëri shumë të qartë se qeveria shqiptare do ta kthejë në prioritet absolut kërkesën që ky vend të arrijë qëllimin për liberalizim të plotë të vizave. Po cilat janë kërkesat që duhen plotësuar për këtë qëllim? Veçanërisht funksionimi i ruajtjes së kufijve, mirëfunksionimi i policisë kufitare, aftësia e policisë shqiptare për t’i vënë fre emigracionit ilegal, këto kushte kanë të bëjnë me garancinë që ofrojnë dokumentet e udhëtimit, sa të sigurta janë ato, siç është rasti i kartave të identitetit, apo puna me regjistrin civil drejt përgatitjes së pasaportave biometrike, të gjitha këto janë të lidhura. Këto kërkesa kanë të bëjnë me luftën që i bën shteti shqiptar korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeveria shqiptare ia ka paraqitur Bashkimit Evropian planet që ka për t’u përballur me këto probleme. Ne jemi duke i analizuar këto propozime dhe procesi i liberalizimit të vizave natyrisht që do të marrë fund, kur të përmbushen të gjitha këto zotime nga qeveria shqiptare.
A mendoni se Shqipëria është gati të aplikojë për statusin e vendit kandidat për BE, ndërkohë që një sondazh i BBC tregon se mund të anëtarësohemi më 2015?
Natyrisht, një prej kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE, është zbatimi me sukses i detyrave të MSA. Njësoj e rëndësishme është që Shqipëria të plotësojë standardet evropiane dhe t’i zbatojë ato në formën për të cilën janë ndërtuar këto standarde. Kjo do të thotë që Shqipërisë nuk i mjafton të hartojë ligje që korrespondojnë me ato të Bashkimit Evropian, por duhet edhe që këto ligje të zbatohen. Ne të gjithë mund të japim shembuj nga ligjet shqiptare, si p.sh., ligji i shëndetit dhe sigurisë në punë, të cilat nuk gjejnë zbatim. Nëse sheh jashtë dritares, do të vesh re shumë punëtorë që punojnë në lartësi, pa kokore. Ka shumë shembuj të tillë në fushën e mjedisit, në atë fiskale, që vërtetojnë në eksperiencat e përditshme, se ligjet aktuale nuk zbatohen plotësisht ose ashtu siç duhet. Dhe unë e theksoj sërish, se është thelbësore për Shqipërinë që t’i vërtetojë Bashkimit Evropian se mund të zbatojë në mënyrë koherente këto ligje.
Ju keni deklaruar më parë se Shqipëria duhet të anulojë ose së paku të amendojë marrëveshjen me SHBA për Gjykatën Ndërkombëtare Penale. I mbeteni kësaj kërkese?
Unë nuk kam vënë re ndonjë zhvillim në këtë fushë. Megjithatë, nuk do të habitesha, nëse qëndrimi i Bashkimit Evropian, që u pasqyrua edhe në raportin e vitit të kaluar, do të mbetej identik.
A jemi në kohë?
Unë pres me padurim që pala shqiptare të ndërmarrë veprimet e kërkuara, në kohën dhe momentin e duhur.