Argjentina Sabela kerkon Kupen e Botes

Me Kupën e Botës 2014 që po afrohet, trajneri i Argjentinës, Alehandro Sabela ka detyrën që ti japë fund agjërimit që zgjat mbi dy dekada të përfaqësueses “albiçeleste” për titullin më të rëndësishëm. Edhe pse kjo është vetëm detyra e tij e dytë si trajner, 57-vjeçari ka mjaft eksperiencë në botëror, pasi në Francë ’98 ishte asistent I Pasarelës në skuadrën që arriti çerekfinalet e aktivitetit.
“Natyrisht që ëndërrojmë të bëjmë një punë të mirë, të kualifikohemi në Kupën e Botës 2014 dhe të paraqitemi në formën më të mirë në këtë aktivitet. E rëndësishme për të triumfuar është që të shfrytëzojmë momentin më të mirë. Gjithsesi ka ende kohë deri në fazën finale dhe duhet ti marrin etapat një nga një”, tha ai.
Sabela ka bërë të ditur se synon që prej kualifikueseve të hedhë në fushë 11 lojtarët më të mirë të skuadrës, duke krijuar një bosht me futbollistët që luajnë në ligat më të forta europiane, ku një pikë referimi e “selesion”-it mbetet edhe Lionel Mesi, edhe pse ylli i Barcelonës nuk është paraqitur asnjëherë në nivelet e pretenduara në përfaqësuese.