E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finalja e Champions League ne 19 maj

Një finale, një trofe, lavdia europiane dhe dy skuadra të përgjysmuara nga mungesat. Kjo do të jetë tabloja e finales së Champions League më 19 maj në Mynih, ku Bajerni dhe Çelsi do të luajnë për trofeun më të rëndësishëm europian në rang klubesh. Përveç faktit që për trofeun më prestigjioz për klube do të përballen dy skuadrat që vlerësoheshin si finalistet më pak të mundshme, dueli në “Alianz Arena” do të karakterizohet nga mungesat e rëndësishme nga të dyja kampet, ku problemet më të mëdha janë në mbrojtje.
Në total janë shtatë mungesa prej pezullimeve, tre për bavarezët dhe katër për blutë e Londrës, ndërsa numri mund të rritet prej dëmtimeve deri në fund të sezonit. Bajerni triumfoi pas 120 minutave “thriller” dhe ruletës së penalltive me Realin e Madridit, por trajneri Jup Hejnkes nuk do të ketë në dispozicion disa elementë shumë të rëndësishëm të skuadrës. Duke nisur nga qendërmbrojtësi Holger Batshtuber, për të vazhduar me mbrojtësin e majtë David Alaba e së fundmi me mungesën e mesfushorit shumë të rëndësishëm Luis Gustavo. Në anën tjetër Çelsi do të paraqitet në finale pa kapitenin Xhon Terri, I cili u ndëshkua me kartonin e kuq direct në “Kamp Nou”, ndërsa prej kartonëve të verdhë, të pezulluar janë edhe mbrojtësi Branislav Ivanoviç, mesfushori shkatërrues, Raul Meireles dhe Ramirez, që shënoi golin e parë në barazimin 2-2 me Barcelonën. Në dyshim për anglezët e Di Mateos është edhe mbrojtësi Kahill, që u largua nga fusha me një dëmtim muskulor. Për trofeun e Champions nuk u realizua ajo që të gjithë mendonin, pra një sfidë “El Clasico” ndërmjet Realit dhe Barcelonës, ndërsa ngushëllimi mund të vijë se në supersfidën e Mynihut do të jenë vetëm dy lojtarë spanjollë, ata janë Huan Mata dhe Fernando Torres të Çelsi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›