E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhan Tigana jo me trajner i klubit kinez Shangai Shenhua

Një nisje e dobët e sezonit dhe një revoltë e lojtarëve bënë që francezi të mos mbijetonte në qytetin më të madh të Kinës. Shangai Shenhua shkarkoi trajnerin e ekipit, Zhan Tigana, ndërsa shpenzimet e mëdha për të blerë lojtarë nuk po japin rezultat.

Një zëdhënës i klubit i deklaroi medave se vendimi u mor për shkak të mungesës së suksesit në fushën e lojës, por edhe sepse futbollistët janë të pakënaqur dhe mendojnë se metodat stërvitore të Tiganasë nuk ishin të përshtatshme.

Në fillim të prillit, Shangai kishte shkarkuar edhe 3 ndihmësit e francezit, pra një përfundim i tillë ishte i pritshëm. Pas largimit të Tiganasë, si trajner i përkohshëm është zgjedhur francezi tjetër Zhan-Floren Ikuange Ibenge, ndërsa ish-lojtari i Çelsit, Nikolas Anelka, do të vazhdojë në rolin e tij edhe si futbollist, por edhe si pjesë e stafit teknik.

Tifozët janë shprehur të ndarë lidhur me shkarkimin e trajnerit, ndonëse mendojnë se klubi duhej të kishte pritur pak më gjatë.
Shangai bëri shpenzime të mëdha për të marrë futbollistë, duke dhënë rroga të çmendura për lojtarë si Anelka, veçse skuadra është në vendin e 10-të të Superligës kineze me 16 ekipe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›