E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni kthim triumfal ne Mynih

Realizimi i detyrës së fundit ishte tepër i vështirë. Futbollistët e Bajernit ia arritën, e eleminuan të frikshmin Real madje në Madrid dhe ndërsa avioni kthehej për në aeroportin “Franc Jozef Shtraus”, ishte koha për të qenë të lumtur.

Në një ceremoni me skenar krejt të njohur, skuadra bavareze shijoi mbërritjen e avionit në vendin e duhur të pistës, zbritjen heroike nga shkallarja, fotot historike në praninë e gazetarëve dhe tifozëve.

Arjen Roben është pari që hap gojën, ndonëse fillimisht fare shkurt duke thënë që “është diçka e shkëlqyer, e madhe, shumë, shumë e bukur”.
Ndërsa lojtarët kalojnë nëpër terminal, mes të cilëve edhe Shvajnshtajger, shënuesi i penalltisë vendimtare, i vjen radha për të folur, yllit francez Frank Riberi.

“Jam i lumtur. Është një sukses për mua dhe Bajernin, por ne duhet të fitojmë finalen. Pas ndeshjes, ne shkuam në hotel, me familjet dhe tifozët. Atmosfera ishte e shkëlqyer”.

“Mendoj se bëmë gjithçka dhe ja ku jemi në finale. Tani na duhet të fitojmë edhe një ndeshje për të fituar Ligën e Kampionëve. Mendoj se portieri ynë, Nojer, është më i miri në botë. Jam i lumtur për të. Ai realizoi diçka të madhe” shprehet Roben.

Manuel Nojer ishte heroi i Bajernit pasi priti dy penallti, madje të Ronaldos e Kakasë, ndërsa bavarezët shpresojnë të bëhen skuadra e parë që ta fitojë Champions-in në stadiumin e vet, në finalen e 19 majit ndaj Çelsit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›