E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola drejt ikjes

Janë plot 13 trofe, pra 13 arsye të mëdha që Barcelona të kërkojë vazhdimësinë. Klubi katalanas shpreson të mos e humbë trajnerin Pep Guardiola, i cili duket në prag të largimit, ndërsa vendimin do t’ia komunikojë së pari lojtarëve të tij të premten në stërvitje, pra tani fare afër.
Çdo të bëjë Pep? Mediat në Madrid, por edhe ato në Barcelonë thonë se ai anon më tepër nga largimi, ndërsa e vërteta është që gjithçka duhet të jetë vendosur, qoftë për të bardhën, qoftë për të zezën.

Të enjten, një ditë pas eleminimit nga Çelsi, Guardiola u takua dhe bisedoi për 3 orë me presidentin e klubit, Sandro Rosel. Ky i fundit i deklaroi se në rast vazhdimësie, Pep do të ketë “çek të bardhë”, në kuptimin jo vetëm të pagesës, por në radhë të parë të vendimeve sportive, një lloj menaxheri si në Angli, apo si Murinjo në Madrid.

Gjithsesi, ndjesia është ajo e divorcit. Ndoshta gjithkush po gabohet, por aroma është tepër e fortë për të mos e kuptuar. Mediat botërore kanë nisur në ethe të kërkojnë për pasardhësin e mundshëm.

Lista përban disa emra, si Marselo Bielsa, Loran Blank, Andre Vijas Boas, Luis Enrike apo Valverde ku më të favorizuarit duken trajneri i Bilbaos apo ai i kombëtares së Francës.

Sa për Pepin, në Angli po bëhet nami për të. Jo vetëm Federata po e synon për ekipin kombëtar, por edhe Junajtid, Siti, Çelsi e Liverpul po presin me gjak të ngrirë se çfarë do të thotë trajneri 41-vjeçar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›