Postdueli reagojne trajneret Murinjo-Hejnkes

E ndoqi llotarinë e penalltive në gjunjë, por kjo nuk i mjaftoi Zhoze Murinjos. Reali i Madridit u eliminua, ndërsa në finalen e 19 majit në Mynih kundër Çelsit do të luajë Bajerni. Bavarezët i hoqën mundësinë “galaktikëve” të vendosin një record duke fituar trofeun e dhjetë europian, ndërsa edhe Mou është detyruar ta shtyjë për më vonë ëndrrën që të bëhet I vetmi trajner që ka fituar tre herë Champions League-n me tre skuadra të ndryshme.
Përgjigja e ftohtë e teknikut portugez për këtë çështje është se do të ketë kohë ta realizojë këtë objektiv, nënvijëzon se në finale nuk kaloi ekipi më i mirë e për momentin kënaqet me faktin që po fiton La Ligan kundër Barcelonës.
“Nuk u kualifikua skuadra më e mirë. Ishte një gjysmëfinale e barabartë dhe Bajerni shënoi një penallti më shumë se ne. Nëse pas këtij eliminimi, klubi dhe lojtarët dëshirojnë që unë të qëndroj do ta bëj. Paraqitja jonë u ndikua nga lodhja psikologjike dhe fizike pas ‘El Clasico’-s, e ndoshta e paguam këtë ngarkesë. Do të triumfojmë në La Liga dhe kjo ka një vlerë të veçantë për mua, sepse fitojmë kundër Barcelonës, skuadrës që të gjithë e cilësojnë si më të mirën në univers. Për mua ka ende kohë të fitoj Champions-in e tretë”, vlerësoi ai.
Bajerni realizoi atë që edhe më optimistët e cilësonin pak të mundshme, megjithatë me paraqitjen në “Bernabeu” bavarezët treguan se e meritojnë finalen. Skuadra e Hejnkes diminoi, ndërsa në fund u kualifikua falë penalltivë të pritura nga portiere Nojer dhe 11-metërshit final të Bastian Shvajnshtajger.
“Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer. Ishte një natë magjike për ne, sepse megjithë problemet dhe dy golat e pësuar në 15 minutat e para arritëm të merrnim lojën në kontroll dhe dominuam, duke krijuar shumë raste për shënim. Skuadra ishte fantastike dhe regjistruannjë triumf të madh për Bajernin”, nënizoi Hejnkes.
Kjo është hera e nëntë që gjigandët gjermanë kualifikohen në finalen e trofeut më të rëndësishëm europian për klube, ndërsa do të kërkojnë suksesin e pestë në histori.