E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë në Novara, mendjen te Palermo

Samir Ujkani ndihet i lumtur në Novara, me të cilën i kaloi dy vjet të suksesshëm. Portieri kosovar e pranon se me qejf do të qëndronte tek anëtari i ri i Serie A, por nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer në Palermo. Përfaqësuesi shqiptar nuk ia mbyll dyert as Sampdorias. Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 11:48

Samir Ujkani ndihet i lumtur në Novara. Portieri kosovar arriti sukses sensacional me ekipin italian, me të cilin depërtoi dy kategori më lart, për vetëm dy sezone, duke e prekur elitën e futbollit italian.

Përfaqësuesi shqiptar planifikon të mbetet te Novara, por ai nuk ia mbyll dyert Palermos, e cila e solli në Itali, dhe Sampdorias, që ka shfaqur interesim së fundmi për shërbimet e tij. “Në Novara jam mjaft mirë, jam i lumtur këtu. Po ushtroj mirë, të shohim në vazhdim. Ia kaloj mirë me trajnerin Tesser”, theksoi Ujkani për reterete24.it.

Kartonin e portierit vushtrrias e mbajnë përgjysmë Palermo dhe Novara. Ujkani ishte transferuar tek klubi sicilian tre sezone më parë, nga Anderlechti. Ai e pranon se në të ardhmen synon të rikthehet tek ekipi Rosanero.

“Unë jam në bashkëpronësi të Palermos e Novarës. Për momentin jam lojtar i Novarës, duhet të flas me të dyja klubet për të ardhmen time. Për mua është e rëndësishme të luaj. Është e qartë se dëshiroj të rikthehem në Palermo, sepse është klub i madh, i cili më ka sjell në Itali. Atje dua të kthehem si numër 1”, vazhdoi Ujkani.

Ditëve të fundit, mediat italiane shkruajnë vazhdimisht për interesimin e Sampdorias për shërbimet e reprezentuesit të Shqipërisë. Ujkani nuk e di ende saktësisht se cila do të jetë e ardhmja e tij.

“Nuk ka asgjë zyrtare. E di se Sensibile më dëshiron atje, por... është e mundshme. Të shohim. Nuk vendos unë, vendosin klubet. Kam mjaft simpati për Pasqualen, falë tij jam në Itali dhe e jetoj një ëndërr në Novara”, tha në fund Ujkani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›