Beson në titull

Futbollistët shqiptarë po e konfirmojnë gjithnjë e më shumë faktin se janë lojtarët kyçë të përfaqësueses U21 të Zvicrës. Kontributi i tyre ka bërë që ekipi helvetik të kualifikohet në gjysmëfinale të Kampionatit evropian U21, i cili po mbahet në Danimarkë.
Zviceranët i shënuan tri fitore nga po aq takime në Grupin A, duke e mbyllur fazën e grupeve në pozitën e parë, me statistikë të qindpërqindtë. Në secilën ndeshje ishte evident kontributi i futbollistëve shqiptarë.
Në lojën e parë, Xherdan Shaqiri shënoi golin e fitores ndaj Danimarkës. Në të dytë, ylli i Baselit asistoi në njërin nga golat e zviceranëve, në fitoren ndaj Islandës. Kurse, të shtunën mbrëma, në skenë doli Admir Mehmedi, i cili realizoi dy gola, në fitoren 3:0 ndaj Bjellorusisë.
Sulmuesi i Zurichut shënoi në minutën e gjashtë nga penalltia derisa dy minuta pa përfunduar pjesa e parë realizoi edhe një tjetër. Kurse, golin e tretë për helvetikët e shtoi Feltscher.
Mehmedi, i cili luajti gjatë tërë ndeshjes, ndihet i lumtur që arriti të realizojë dy gola. “Duhet të vazhdoj ende me punë dhe kur të më jepet rasti, ta jap maksimumin”, ka thënë Mehmedi për Express, i cili u ndëshkua edhe me karton të verdhë.
Sulmuesi i lindur në Gostivar, i cili sezonin që e lamë pas, shkëlqeu në Kampionatin zviceran me skuadrën e Zurichut, beson se Zvicra mund të triumfojë në Kampionatin evropian për grupmoshat U21.
“Besoj që kemi shumë shanse të mira që ta fitojmë Kampionatin evropian. Në skuadër kemi shumë lojtarë të mirë, e të cilët kanë kualitete të larta”, ka theksuar Mehmedi, i cili po vëzhgohet nga ekipi francez, Marseille dhe ai gjerman, Nurnberg.
Në takimin kundër bjellorusëve, 90 minuta luajti edhe ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri. Granit Xhaka luajti 52 minuta, duke ia lëshuar vendin bashkëkombësit, Amir Abrashi. Kurse, Pajtim Kasami nuk luajti fare në këtë takim.
Eliminohet Danimarka, zhgënjehet Bashkimi
Nikoqiri i Kampionatit evropian U21, Danimarka, ku luan edhe sulmuesi shqiptar, Bashkim Kadri, janë eliminuar nga kjo garë, pas humbjes 3:1 nga Islanda.
Golin e vetëm të ekipit skandinav, e shënoi Kadri, por kjo ishte e pamjaftueshme, ngase danezët u eliminuan qysh në fazën e grupeve, duke përfunduar në pozitën e fundit, me dy humbje e një fitore.
Futbollisti i Odenses ishte i vetmi që shkëlqeu për danezët. 19-vjeçari ndihet i zhgënjyer për eliminimin e hershëm të ekipit bardhekuq. “Jemi të zhgënjyer që nuk mund të vazhdojmë. Është e vështirë”, tha për uebfaqen ekstrabladet.dk, Kadri, i cili i zhvilloi vetëm dy ndeshje.
“Është dashur t’i shfrytëzonim rastet. Kur ta shihni se sa mundësi kishim, mund të vlerësoni se kishim probleme. Nuk ishim në gjendje t’i shfrytëzonim rastet. Ishte një luftë e çuditshme. Ishim më të mirë në pjesën e parë, por nuk e di se çka ndodhi në atë të dytë. Prisnim të shkonim më larg”, përfundoi Kadri.
Grupi A
Rezultatet
Zvicra – Bjellorusia3:0
Islanda – Danimarka3:1
Tabela
1. Zvicra9 pikë
2. Bjellorusia3
3. Islanda3
4. Danimarka3