Tovërlani, drejt Hysit
Kampioni i ri i Kosovës, Hysi ka filluar t’i bëjë planet për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit bardhezi tashmë kanë filluar që ta kërkojnë një trajner, i cili do t’i drejtojë drejt sukseseve të reja.
Kandidati më serioz për ta drejtuar klubin nga Merdari në sezonin e ri është Afrim Tovërlani. Madje, bisedimet ndërmjet ish-trajnerit të Prishtinës dhe zyrtarëve të Hysit veç kanë filluar.
“Është e vërtetë që kemi biseduar me Afrim Tovërlanin. Gjatë javës pritet të merret një vendim rreth trajnerit të ri”, ka konfirmuar për Express, kryeshefi ekzekutiv i bardhezinjve, Afrim Macula.
Në anën tjetër, edhe ish-trajneri i Trepçës ’89 ka pohuar bisedimet me kampionin e ri të Kosovës. Tovërlani tregon se do të ketë edhe një takim para se të vendoset nëse do ta drejtojë apo jo Hysin, sezonin e ardhshëm.
“Kam pi kafe me mikun tim, Afrim Maculën, kemi biseduar edhe rreth futbollit e kampionatit të sapopërfunduar. Do të takohemi gjatë javës nëse mund të gjejmë gjuhën e përbashkët rreth bashkëpunimit. Domethënë, qe një bisedë miqësore dhe korrekte nga drejtori sportiv, Macula”, ka theksuar Tovërlani për Express.
Strategu kosovar, i cili dy herë radhazi shpalli Prishtinën kampion dhe riktheu Trepçën ’89 në Superligë, tregon se ka oferta edhe nga klube të tjera të elitës së futbollit kosovar.
“Ka edhe klube të tjera që kanë shprehur interesim për t’u prirë në kampionatin e ardhshëm. Megjithatë, mendoj se Hysi ka kushte për punë me disiplinë, punë dhe organizim të mirë. Ata janë ekip që mund të arrijnë edhe më shume sesa këtë vit”, ka përfunduar Tovërlani.
Ndërsa ditë më parë, burimet të gazetës Express brenda Prishtinës, kanë bërë të ditur se numri një i klubit, Remzi Ejupi po insiston që ta rikthejë në bankinë Afrim Tovërlanin, i cili para tri sezoneve ishte i pakonkurrentë në futbollin kosovar. Por, si duket, në ekipin bardhekaltër janë disa rryma dhe rikthimi i Tovërlanit do te jetë i vështirë, përkundër dëshirës së Ejupit.
Skuadra e Hysit njihet për ndërrimin e shpeshtë të trajnerëve. Vetëm këtë sezon, bardhezinjtë kishin ndërruar katër trajnerë. Fillimisht, ekipin e kishte drejtuar Bylbyl Sokoli.
Pas largimit të Sokolit, drejtimin e Hysit e kishe marrë Arbnor Morina, i cili vetëm pas disa javëve u zëvendësua me Genc Hoxhën. Madje, ky i fundit, klubin nga Merdari e drejtoi vetë në dy ndeshje. Pas Hoxhës, llapjanët i udhëhoqi Fadil Ademi, i cili edhe arriti të shpallet kampion.