E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina, gola e spektakël ndaj koreano-jugorëve



Leonard Karaj

Argjentina ka siguruar kalimin për në turin tjetër të Kupës së Botës. Fitorja e djeshme 4-1 ndaj Koresë së Jugut i ka dhënë skuadrës së Maradonës kualifikimin për në 1/8 e finaleve të këtij Botërori. Edhe në rast se në ndeshjen e fundit në grup ekipi i Diego Armando Maradonës humbet ndaj Greqisë, përsëri është i kualifikuar pasi ka fituar ndeshjen direkte me Korenë e Jugut. Në këtë rast edhe sikur koreanët të fitojnë me Nigerinë, e cila nuk ka asnjë shpresë kualifikimi pas dy humbjeve radhazi, dhe grekët të mundin argjentinasit, përsëri aziatikët nuk do të mund të kalonin për më tej. Të tria skuadrat (marrim variantin më të keq që Greqia të mundë Argjentinën) do të kenë nga 6 pikë por për renditjen vlejnë ndeshjet direket. Përpos kësaj matematike mbi renditjen në grupin B vlen të theksohet se ndeshja e djeshme e Argjentinës ndaj koreano-jugorëve, pavarësisht shifrave, nuk ishte aspak e lehtë. Aziatikët u bënë të rrezikshëm në pjesën e dytë, duke treguar një futboll të bukur, por pa kthyer në gola, ato raste që mundën të krijonin. Madje në pjesën e dytë të takimit, kur rezultati ishte 2-1, futbollisti koreano-jugor, Hun Yeom pati mundësinë më të mirë për të barazuar rezultatin kur doli ballë për ballë me portierin argjentinas. Prej aty pastaj nisi "ndëshkimi latino-amerika". Edhe tre gola të tjerë me autor Higuain, i cili kryeson provizorisht edhe renditjen e golashënuesëve të këtij Botërori. Ndërkaq goli i katërt për ekipin e Maradonës mban firmën e çu-Jong Park, i cili në fakt hapi siparin e goleadës me autogolin e shënuar në minutën e 16-të të pjesës së parë.

skeda

Argjentinë-Kore e Jugut 4-1
Shënues: Young Park (og) 16', Higuain 33', 77', 80'/ Yong Lee 45'
Kartonë të verdhë: Gutierez 55', Maskerano 55', Heinze 74'/ Hun Yeom 10', Yong Lee 34'
Gjyqtarë: Frank de Bleker (BEL)
Argjentina: Romero, Demikelis, Heinze, Di Maria, Higuain (Bolati 82'), Mesi, Tevez (Aguero 75'), Samuel (Burdiso 23'), Maskerano, Gutierez, Rodriguez. Trajner: Diego Maradona
Kore e Jugut: Pyo Lee, Seok Oh, Hyung Cho, Sung Park, Voo Kim, Young Park (Gook Lee 81'), Soo Lee, Yueng Ki (Il Kim 46'), Yong Lee, Ryong Jung, Hun Yeom. Trajner: Huh Jung Mao

Argjentina Statistika Kore e Jugut
22 Gjuajtje 13
11 Gjuajtje në portë 2
19 Faulle të shkaktuar 19
18 Faulle të pësuar 18
6 Goditje këndi 2
18 Goditje dënimi 12
4 Jashtëloje 0
0 Autogola 1
38 Kohë fiktive/lojë 30
57% Mbajtje e topit (%) 43%

Renditja/ Grupi B
Shteti ND F B H P
Argjentina 2 2 0 0 6
Kore e J. 2 1 0 1 3
Greqia 2 1 0 1 3
Nigeria 2 0 0 2 0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›