E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk jam homo, Mesin e putha nga gëzimi”



"Nuk jam homoseksual. Ju siguroj se mua më pëlqejnë vetëm femrat". Deklarata erdhi si rrufe nga trajneri i Argjentinës, Diego Maradona në konferencë për shtyp zhvilluar dje pas ndeshjes ndaj Koresë së Jugut. Pyetjes thumbuese të gazetarit, Maradona i është përgjigjur me ironi e sarkazëm duke kujtuar se Lionel Mesin e kishte puthur në përfundim të sfidës së djeshme nga gëzimi i fitores dhe se vetë ai ishte i fejuar me një bionde 31-vjeçare. "Ju siguroj se jam i fejuar me një vajzë bionde 31-vjeçare dhe shumë e bukur. Ndaj mos e merrni në një kontekst tjetër përqafimin tim me Mesin në fund të ndeshjes", ka pohuar Maradona.
Maradona ka prekur edhe akuzat dhe deklaratat e ditëve të fundit mes tij dhe Platinisë e Pelesë. "Mora një mesazh nga Platini, i cili më siguronte se nuk kishte thënë kurrë të tilla gjëra, akuza ndaj meje në intervista me gazetarët. Ai më tha se kishte një respekt për mua dhe nuk do bënte kurrë deklarata të tilla kundër meje. Ndaj me këtë rast edhe unë i kërkoj ndjesë publikisht për ato që kam thënë dje ndaj tij. ndërkohë nuk e ndjej aspak të nevojshme që t’i kërkoj falje Pelesë. Ai i meriton të gjitha ato që kam thënë në drejtim të tij", ka vazhduar Maradona.
Tekniku argjentinas ka vlerësuar mjaft lojën e skuadrës së tij duke analizuar edhe takimin në detaje. "Unë duhet të falënderoj djemtë e mi për punën e madhe që ata bënë. E vetmja rrugë që Koreja e Jugut të na e bënte të vështirë jetën tonë do të ishte nëse ne do t'i linim ata të bënin lojën e tyre. Për shembull, nëse ne do t'u jepnim atyre të kishin më shumë kontroll për topin ose hapësirë për të vrapuar apo të bënim gabime si ai që bëri Demikelis. Ne nuk u shqetësuam dhe ata nuk na vunë kurrë në vështirësi. Kemi bërë progres në krahasim me ndeshjen e parë. Kemi disa skema dhe mënyrë loje karakteristike për futbollin argjentinas. Kam në dispozicion 23 futbollistë që më vënë shpesh herë në vështirësi për të zgjedhur skuadrën më të mirë, pasi që të gjithë i konsideroj si kampionë", ka thënë Maradona.
Më tej tekniku ka treguar edhe ndryshimin që i ka sjellë në jetën e tij private të qenurit trajner i kësaj skuadre. Ndërsa pyetjes së një gazetareje se çfarë titulli do t’i vinte artikullit të sotme për Argjentinën nëse ai do të ishte në vend të saj, Maradona iu përgjigj qartazi: "Argjentina ka bërë një ndeshje të madhe dhe ishte e pakapshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›