Argjentinasi Hanush: “Tri pikët janë tonat”

Argjentinasi Mauricio Hanush pas debutimit të kënaqshëm me Dinamon kundër Apolonisë (1-0) në 1/16 e Kupës së Shqipërisë do të luajë për herë të parë një ndeshje të kampionatit shqiptar, dhe fati ia desh të luajë kundër kampiones në fuqi. Më pak italisht dhe të shoqëruar me ndërhyrje në spanjisht, Hanush i përket njerëzve entuziastë gjithmonë të qeshur dhe të gatshëm.
"Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Tirana është skuadra kampionë në fuqi dhe që ka fituar ndeshjen e parë. Unë do të jap kontributin tim që Dinamo të fitojë ndeshjen dhe të marrim tri pikët".
Hanush flet pak edhe për takimin me Apoloninë. "Bëra një ndeshje të mirë. Ishte ndeshja ime e parë pas dy muajsh, qysh nga takimi i fundit në Argjentinë. Kemi një ekip të mirë", - thotë Mauricio, që thekson edhe faktin se ardhja e tij te Dinamo, është dhe produkt i ish-trajnerit argjentinas të bluve, Pedro Pablo Paskuli.
"A më pëlqen Shqipëria? Tirana është një qytet i mirë dhe interesant. Para ndeshjes me Partizanin, javën e ardhshme do të sjell edhe familjen time të jetoj këtu. Kam një djalë gjashtë muajsh, quhet Valentino dhe bashkëshortja nuk mund të rrijë larg meje".