E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodian Duro: “Prania e Hanit, shans për fitoren e Tiranës”

Me dhjetë gola në 19 javë dhe 6 të realizuar në pesë javët e fundit, mesfushori i Tiranës, Klodian Duro, është edhe lojtari nga i cili trajneri Sulejman Mema, pret të bëjë edhe diferencën. "Të rëndësishëm nuk janë golat e mi, por është fitorja e ekipit", - thotë ftohtë kapiteni i bardhebluve, në mungesë të Devi Mukës së dëmtuar. "Objektivi jo vetëm i Duros, por dhe gjithë lojtarëve është të kapim sa më shpejt vendin e parë".
Klodiani ndihet shumë mirë fizikisht, formë që e ka treguar edhe në dy ndeshjet e fundit në kampionat me Elbasanin (2-2) dhe Kastriotin (3-0), ku realizoi edhe tre gola. "Ndaj Dinamos është një ndeshje decizive, pasi ajo mban vendin e parë dhe një hap fals na con 12 pikë larg tyre. Unë mendoj se Tirana është në gjendje të bëjë përmbysje të mëdha dhe të tregojë veten e saj në këtë kampionat".
Trajneri Mema pohoi se Tirana ka kualitete më të mira se Dinamo, por një lojtarë me përvojë si Duro nuk kërkon të mbështetet te ky fakt. "Unë mendoj se Dinamo ka një grup të mirë lojtarësh dhe ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë deri tani, por kjo nuk dot të thotë që dhe ne kemi atë kolektivitet për të mos besuar te fitorja. Na takon ne lojtarëve më me stazh të japim kontributin tonë më të madh dhe të marrim më shumë përsipër për të dalë me sukses nga ndeshja derbi".
Në derbin Tirana-Dinamo do të jetë i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Ari Han. "Është një motiv më shumë për të qenë më të mobilizuar, edhe pse për mua nuk do të përbëjë një faktor përcaktues, pasi tashmë prej vitesh jam pjesë e Kombëtares. Thjesht do të kisha kënaqësinë që ai të ishte një ogur i mirë për fitoren e Tiranës. Gol ndaj Dinamos? Shpresoj të vazhdoj lojërat time të mira dhe pjesë e saj është dhe goli"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›