E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentinë-Itali, tani ka binjakëzim

Të huajt Seria A mikëpret gjithnjë e më shumë amerikanojugorë, sidomos argjentinas

I fundit në radhë është Ezekuel Munoz, i cili pritet të kalojë te Palermo. Por tendenca që certifikon prej shumë vitesh një prani masive argjentinasish në Serinë A, është konfirmuar edhe në këtë merkato. Tashmë kanë mbërritur 6: Insua te Fiorentina, Paleta te Parma, Zukulini te Xhenoa, Garsia e Munoz te Palermo dhe Gomez te Katania. Të zbulojmë arsyen. Klubet italiane, shpesh me dashje, peshkojnë në Amerikën e Jugut lojtarë të mirë dhe të lirë. Brazilianë, uruguaianë dhe mbi të gjitha argjentinas, nga 1980, vit i hapjes së kufirit në Itali, kanë mbërritur për të luajtur në Serinë A me një vazhdimësi befasuese. Dhe pavarësisht dispozitave të fundit, që lejojnë klubet italiane të marrin vetëm një lojtar ekstrakomunitar në sezon, “trendi” nuk është ndalur. Në fakt shumë argjentinas kanë paraardhës italianë, gjë që u mundëson të kenë dy pasaporta, duke dribluar kështu rregullin e federatës italiane. Përveç lidhjeve familjare, argjentinasit kanë një avantazh të madh, që preferohet nga skuadrat e Serisë A: kushtojnë pak. Ndërsa merkatoja braziliane duket se ka ngritur çmimet për xhevahiret e saj, në Argjentinë mund të blihen lojtarë të mirë, duke paguar shifra të përballueshme. Dhe, duke marrë në konsideratë ambientimin e lehtë, që kanë demonstruar prej kohësh në Serinë A, drejtorët sportivë italianë vështirë të gabojnë. Lidhja mes Argjentinës dhe Italisë u intensifikua, kur në shpatet e Vezuvit zbarkoi futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Ishte 5 korriku i vitit 1984, kur Diego Armando Maradona prezantohej në “San Paolo” të Napolit, duke krijuar një marrëdhënie romantike dhe të fortë, që zgjat edhe sot. Pas tij mbërritën shumë të tjerë, disa me talent të madh. Nga Kanixhia te Batistuta, nga Simeone tek Ajala, pa harruar Ortegën, Sensinin, Veronin, për të arritur te Krespo, Samuel, Zanetti, Milito e Laveci. Seria A është përdorur si palestër dhe në të njëjtën kohë si serbator për Selesionin argjentinas. Edhe në vitet e fundit kanë mbërritur të tjerë si Maksi Lopez, Rikiuti e Silvestre, Kambiaso, Burdizo, Laveci, Kampanjaro e Denis. Kështu përfiton kombëtarja argjentinase, e cila po shijon në heshtje binjakëzimin me Serinë A.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›