Cana, sfidon serbët në mes të Beogradit
Lorik Cana ka në dorë të marrë një “revansh” të vogël ndaj serbëve. Gallatasarai i tij do të luajë kundër serbëve të OFK Beograd në turin e tretë të Europa League. Ndeshja e parë do të luhet në Turqi, më 29 korrik, ndërsa ajo e kthimit në Beograd, më 5 gusht. Cana, i lindur në Prishtinë, por dhe djali i një ish-futbollisti të famshëm të FK Prishtinës, Agim Cana, do të ketë shansin të tregojë vlerat e tij në Beograd, ashtu siç bëri në vitin 1988, Flamurtari me Sokol Kushtën kundër ekipit të Partizanit të Beogradit. Ndërkohë që situata te Gallatasarai për momentin nuk është e qetë. Humbja 1-0 kundër Fenerbahçes në Kupën “Spor Toto Cup”, ka provokuar një marrëdhënie të ftohtë midis presidentit të Gallatasarait, Adnan Polat, dhe trajnerit holandez Frenk Rajkard. Lajmin e jep gazeta e madhe turke "Zaman". Ish-trajneri i Barcelonës synon të ndërtojë një ekip mbi bazën e skemës së njohur “tulipane”: 4-3-3, por mesa duket, sipas tij, ai nuk i ka lojtarët e duhur, duke i konsideruar blerjet e reja të presidentit Adnan Polat si “mediokre” në raport me kriteret që kërkon kompeticioni i Ligës së Europës. Gallatasarai ka blerë gjatë kësaj vere shqiptarin Lorik Cana, kolumbianin Huan Pablo Pino dhe turqit Serdar Ogzan, Ali Turan dhe Musa çagiran. Gjithsesi Rajkard duket se në prononcimin tij nuk i referohet Canës, pasi ditët e fundit ka përgëzuar shqiptarin për formën e mirë.
#