Juventus, operacion Adebajor për ta marrë në formë huazimi
Pasi është zbehur përfundimisht ëndrra Xheko, Juventusi ka gjetur një objektiv të ri për sulmin: ai është Emanuel Adebajor, 26 vjeç, bomber i Mançester Sitit. “Ndjenja” mes togolezit dhe Roberto Mançinit nuk lindi kurrë, aq sa tekniku italian i ka kërkuar klubit anglez ta shesë. Siti do ta jepte edhe në formë huazimi, në rast se bardhezinjtë do të paguanin vetëm rrogën: 5,5 milionë euro. Tratativa vërtitet rreth së ardhmes së Mario Balotelit. Në fakt Siti do të lirohej nga Adebajor vetëm në rast se Mançinit i vihet në dispozicion talenti i ri i Interit. Objektivat e tjerë të klubit anglez janë Xheko dhe Ibrahimoviç. Por i pari duket i destinuar të qëndrojë te Volfsburgu. “Kemi vendosur t’i japim fund zërave të merkatos, Xheko do të qëndrojë me ne”, deklaroi klubi gjerman. Ndërsa suedezi, nëse do të duhej të linte Barcelonën, do të zgjidhte Realin e Murinjos. Ja përse Baloteli duket i vetmi objektiv i vërtetë i Sitit. Dhe blerja e tij do t’i lejonte Mançinit të largonte Adebajorin, lojtarin i cili nuk u pëlqye kurrë nga trajneri. Anglezët do ishin të gatshëm ta jepnin në formë huazimi, me kusht që Juventusi të derdhte 5,5 milionë eurot e rrogës së tij. Shumë pak gjë në krahasim me 35-35 milionë eurot e kërkuara nga Volfsburg për Xhekon.
#