Dinamo përgatit ofensivën për titull me miqësore luksi
Ka lënë shije të hidhur ai eliminim në turin e dytë të Champions League kundër moldavëve të Sherif Tiraspolit, ku Dinamo, edhe pse fitoi ndeshjen e kthimit 1-0, nuk mjaftoi për të siguruar biletën për në turin e tretë. Por ndërsa futbollistët po shijojnë pushimet, drejtuesit e lartë të klubit po përgatisin programin e fazës përgatitore, ku dhe do të hidhen bazat për ofensivën në mbrojtje të titullit kampion në sezonin e ardhshëm të kampionatit shqiptar të futbollit, i cili fillon më 21 gusht. Dita sotme do të jetë e fundit e pushimeve për blutë, pasi të hënën ekipi do të zbresë në stërvitje në kompleksin “Dinamo”. Trajnerin Luiz Manuel Blanko do të testojë gjendjen e skuadrës dhe organikën e saj, duke i nisur përgatitjet në Tiranë me ritme të lehta, për të arritur gradualisht sërish formën e mëparshme fizike. Faza përgatitore e zhvilluar në Slloveni përpara përballjes në turin e dytë të Champions League ndaj Sherif Tiraspolit të Moldavisë, duket se ka lënë një shije të mirë tek dinamovitët. Ata do të kthehen sërish në Maribor, për të zhvilluar një tjetër përgatitore, por kësaj radhe, gjithçka do të jetë në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri (2010-2011). Gjatë fazës së dytë përgatitore (1-10 gusht), blutë kanë planifikuar dy miqësore luksi, me italianët e Palermos së Serisë A (2 gusht) dhe spanjollët e Real Sociedad (5 gusht). Dinamo kërkon të bëjë një punë të mirë, pasi edhe në këtë kampionat do të futet me besim të plotë për të arritur titullin kampion, i cili do të ishte edhe i 19-i për dinamovitët në historinë e tyre 50-vjeçare. Në grupin e Dinamos priten edhe dy afrime të tjera, ndërkohë që senegalezi Papa Diop është zhdukur pa gjurmë nga kampi blu. Nuk është hera e parë që futbollisti i Dinamos bën një veprim të tillë aspak profesionist dhe të padenjë për një lojtar të një skuadre me tradita, siç është në rastin konkret Dinamo. Gjithsesi, organika e bluve është e pasur me futbollistë të kualifikuar, ajo kërkon vetëm ndonjë përforcim të vogël me kualitet dhe përvojë dhe më pas sërish blutë kryeqytetas do të jenë edhe pretendentët kryesorë për titullin kampion edhe në këtë sezon.
#