Argumentum ad hominem
Popujt nuk dallohen nga njëri-tjetri vetëm falë disa veçorive etno-psikologjike, siç është gjuha, mendësia, tradita, kostumet, konceptet morale, etj., por edhe me mënyrën e organizimit shoqëror, koncepteve politike që afirmojnë një vlerë apo që ndalojnë një ide. Në kuadër të këtij botëkuptimi, popujt, kulturat, qytetërimet, ndahen në ato që prodhojnë histori, që krijojnë një proces të transformimit të ideve, të sistemit të vlerave, që quhet histori dhe popuj, që nuk prodhojnë atë, por vetëm kronikë, e cila regjistron vetëm faktet që kanë të bëjnë jo me vlerat, por me mënyrën e sundimit të dinastive, kryesisht despotike. Në këto kronika nuk shënohen faktet që dëshmojnë ndryshimin e premisave(ideve) mbi të cilat ndërtohet një shoqëri, ngaqë ide të tilla nuk ekzistojnë... Në rastin e parë mund të vërehen qartë ndryshimet në sistemin e vlerave, kryesisht në kategorinë e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në atë të ngushtimit të hapësirës për pushtet absolut të tiranëve, despotëve, monarkëve të ndryshëm. Bie fjala, Kontinenti Amerikan filloi të krijojë histori vetëm kur atje u vendosën pushtuesit evropianë. Po ashtu, qytetërimi lindor nuk ka prirje të krijojë sisteme dinamike shoqërore që tolerojnë dhe nxisin ndryshimin, transformimin e sistemit të vlerave, por parapëlqen ta konservojë traditën, të ndërtojë sisteme vlerash statike. Ky dallim shquhet, si në fushën e politikës (transformimi i formacioneve shoqërore, duke filluar nga sistemi skllavopronar e deri te sistemet e sotme liberale demokratike), kulturës (sistemi i vlerave mesjetare, renesansës, barokut, rokokosë, klasicizmit, romantizmit, iluminizmit, impresionizmit, ekspresionizmit, fovizmit, kubizmit etj.), besimeve fetare që shndërrohen në religjion, d.m.th., në sistem koherent vlerash, strukturash që precizojnë mënyrat e zbatimit, të shtrirjes universale të kanoneve, të vendimmarrjes (kisha katolike ka zgjidhur të gjitha dilemat lidhur me dogmën, zgjedhjen, emërimin, hierarkinë e vendimmarrjes etj.).
Popujt që prodhojnë histori, njëkohësisht, në mënyrë të natyrshme kanë arritur që të ndërtojnë formacione shoqërore liberale, ndërkaq popujt që prodhojnë kronika të sajuara nga bëmat e sunduesve të ndryshëm autoritarë krijojnë formacione konservative shoqërore, ku çdo ndryshim cilësohet si rrezik dhe me dhunë pengohet çfarëdo ngushtimi i hapësirës për sundim autoritar, voluntarist.
Historianët dëshmojnë se procesi historik, në kuptimin e transformimit të koncepteve, në kuptimin e zgjerimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, ka filluar më 15 qershor të vitit 1215, në vendin Runnymede, ku baronët anglezë ia imponuan mbretit Xhon, i njohur me nofkën i “Pa Tokë”, që të pranojë Kartën e Madhe të Lirisë (Magna Charta Libertatum), ku afirmohej liria e njeriut, e qytetarit, të cilin askush më nuk do të mund ta arrestonte pa shkak (kapitulli Habeas Corpus). Prej këtij momenti, disa thonë vetëm në pjesën anglosaksone, në hapësirat e qytetërimit perëndimor fillon procesi i transformim historik mbi afirmimin apo mohimin e ideve. Natyrisht se, në kuadër të qytetërimit perëndimor, bri këtij procesi është zhvilluar edhe një proces tjetër historik, por vetëm si aberracion nga tendenca kryesore historike. Megjithatë fitoi procesi i zgjerimit të hapësirës së lirisë dhe jo ai i ngushtimit, që lidhet meinkuizicionin.
Ky zhvillim dinamik historik, tipik për shoqëritë perëndimore, është ngushtë i lidhur me procesin e formimit të vetëdijes për domosdoshmërinë e ndryshimit të konceptit për ndërtim të shtetit, në favor të lirive dhe të drejtave të njeriut, përkatësisht të ideve që kufizojnë pushtetin absolut, voluntarizmin dhe vënien mbi ligj të çfarëdo institucioni apo individi. Nga kjo vetëdije, nga këto ide, lindën konceptet që përkufizojnë, që rregullojnë mënyrat sesi qytetarët mund ta fitojnë të drejtën e përfaqësimit të interesit të grupeve të ndryshme të interesit. Ky zhvillim, ky transformim i sistemit të vlerave është i natyrshëm dhe i domosdoshëm për shoqëritë perëndimore, ndërkaq për shoqëritë lindore, të proveniencës ideologjike komuniste dhe ato teokratike, i panevojshëm, ose i imponuar nga jashtë. Prandaj, në shoqëritë perëndimore, ku idetë dhe procedurat janë të domosdoshme, zhvillohej sistemi i mirëfilltë demokratik, ndërkaq, në shoqëritë që pranuan konceptin demokratik si çështje mode, filloi procesi zbatimit formal, cinik, i demokracisë. Kjo shkarje nxori në shesh mungesën etike të këtyre koncepteve pseudo-demokratike.
Marrë në tërësi, qytetërimi perëndimor krijon sisteme shoqërore që avancojnë të drejtat e njeriut, që garantojnë barazinë, funksionimin e ligjit, formacione të mirëfillta demokratike, ndërkaq qytetërimet joperëndimore kanë prirje t’i kopjojnë këto modele, por jo edhe t’i zbatojnë.
Në këto shoqëri të rrejshme demokratike, në fazën fillestare demokracia dhe pluralizmi politik shfaqet si antagonizëm elementar, mik-armik( teoria e K.Shmitit), si në organizimin partiak ashtu edhe në profilizimin doktrinar politik. Kjo logjikë polarizuese krijon përplasje të rrejshme, ndasi të panevojshme dhe të rrezikshme në shoqëri, ngaqë nuk mbështetet në koncepte të ndryshme, por interesa vetjake. Duke shpallë me automatizëm pjesëtarët e një partie si miq, ndërkaq të partisë tjetër si armiq, eliminohet etika, vlerësimi real i dukurive shoqërore. Me këtë dikotomi fshihet fakti brengosës i mungesës së doktrinave politike, që i profilizojnë partitë si të majta, të djathta ose të qendrës, që përfundon çdo herë me mungesën e strategjisë zhvillimore. Mungesa e koncepteve politike fshihet me teknologjinë e prodhimit të armiqve dhe të miqve. Kjo ndarje zhvillohet përmes konceptit të gabueshëm në argumentim që, në lëndën e logjikës njihet me formulën “argumentum ad hominem”, (argumenti kundër njeriut). Kjo metodë pseudo demokratike, përnjëherë filloi të hulumtojë, të sajojë, t’u shpifë vese kundërshtarëve politikë.
Mungesa e vetëdijes për rolin human, qytetërues, të pazëvendësueshëm të demokracisë si metodë për legjitimim të përfaqësuesve të popullit, apo të etikës gjatë lidhjes së kontratës ndërmjet popullit (elektoratit) dhe partisë politike, për domosdoshmërinë e respektimit të pikave të kontratës gjatë ndërtimit të shtetit, zëvendësohet me skemën, sa polarizuese po aq ngatërrestare, mik-armik. Mungesa e koncepteve politike, të doktrinave profilizuese majtiste, djathtiste, apo centriste, hap mundësinë që të zhvillohen pseudodebate, ku oponentët reciprokisht satanizohen.
Skema mik-armik manifestohet edhe në relacionin pozitë-opozitë. Edhe në këtë kontekst debati zhvillohet në drejtim të eliminimit moralizues të oponentit. Nuk debatohet për konceptet politike, por për vetitë, të vërteta apo të sajuara të oponentëve. Në këtë diskurs, njeriu që deri dje perceptohej i virtytshëm, brenda natës transformohet në kriminel. Kjo mënyrë e njollosjes, apo kjo politikë që debatin e bart nga fusha e debatit doktrinar për ndërtim të shtetit, në atë të vetive të individit, e bën absurd çdo angazhim politik, e shndërron politikanin në palaço, apo Parlamentin në teatër komik. Kjo metodë e rrënon etikën në politikë.
Pa etikë politika shndërrohet në faktor që molis zhvillimin e një shoqërie, në instrument të interesave individuale apo grupore që përfundon me zëvendësimin e interesit kombëtar, shtetëror, me atë individual apo partiak. Në këtë mënyrë humbet arsyeja e demokratizimit të një vendi, humb kredibiliteti i politikës, përjashtohet morali në raportet njerëzore.