Ata, të heshturit e përbuzur
Më falni: çfarë quani ju Opozitë?!Opozita është rojë e demokracisë. Armët e saj janë ligjet, institucionet e pavarura.
Shkalla e shëndetit të demokracisë në një vend, nuk lexohet te qeveria e atij vendi por te Opozita e saj. Erërat opozitare në çdo vend të botës janë gjithnjë më të fuqishme, pasi pakënaqësitë dëshirat e përmirësimeve, gjithnjë janë të pranishme edhe gjithnjë në rritje. Individët e shquar janë më së shumti opozitarë. Mediat kanë më shumë jetë kur bluajnë kundërshtitë, kur shqetësojnë dhe demaskojnë. Arti në gjinitë më të mprehta është opozitar. Kështu dhe populli i gjërë e sheh më pranë vetes Opozitën dhe kërkesat e tij i sheh të formuluara më mirë nga ajo. Paçka se pastaj ndërrohen rolet Opozita vete në pushtet dhe Opozitë bëhet grupi që qeveriste i cili nxjerr nga rradhët liderë të rinj dhe ide të reja. Erërat nuk pushojnë dhe kampi mbështetës opozitar mbetet i përbërë po nga ata: nga individët e shquar, mediat, arti dhe nga masa e njerëzve që kërkojnë përjetësisht përmirësime. E bota rrotullohet.
Tek ne ajo ka ngecur ne vend. Ne nuk shohim pothuaj fare liderë të rinj dhe absolutisht Humbjet në votime nuk sjellin shëndetin e rifreskimit, sikurse ndodh në vendet e përparuara. Meqenëse në të gjitha proceset zgjedhore të dy grupet kryesore kanë vendosur që përjetësisht të vetëshpallen fitimtarë, nuk bëhet asnjëherë si duhet analiza e humbjes se, siç po e përsërisim deri në mërzi, dështime nuk ka. Kështu del që nuk ka faje, rrjedh që askush nuk ka bërë gabime, rrjedh që nuk ka asgjë për të ndrequr dhe jeta në këtë vend të bekuar vazhdon të rrjedhë e tillë.
Në këto 18 vjet ne nuk kemi opozitë, ne kemi thjesht kundërpushtet. Dy partitë kryesore që alternojnë njëra-tjetrën në drejtim të punëve të vendit, nuk kanë absolutisht dallime në filozofi dhe në stilin e administrimit të vendit. Programet dhe synimet e tyre janë të njëjta. Të ndryshme ato kanë vetëm listat e deputetëve dhe të anëtarëve të kryesive. Ato, megjithatë, janë thellësisht kundërshtare, sepse i ndan një element i natyrshëm, begatia e ngushtë, paraja, kamja. Përleshja është e gjithëpranishme, por jo ngaqë kanë bindjen se i shërbejnë më mirë vendit se partia tjetër, por sepse është ende koha e artë e pasurimit. Ndaj përleshja është kaq e egër. Në Shqipëri nuk po duken idealistët. Individët e shquar, me autoritet më të madh se autoriteti i dhjetë partive së bashku, nuk prononcohen më mbi bëmat e qeverisë. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë gjetur ndofta mjetet që t’i bëjnë ata të heshtin, ose ata janë lodhur e i kanë varur armët e tyre në mur. Në shfaqjet e tyre publike ata trajtojnë tema që lidhen me ca kohëra nga Kongresi i Manastirit, e më thellë.
Mjaft interesante është marrëdhënia e ngjashme e të dy grupeve kundërshtare me masat popullore, kur ata nuk janë në qeverisje. Për shkak të mosmbajtjes së premtimeve në fushatat e mëparshme që u kanë dhënë pushtetin, të dy grupet, më shumë se te premtimet, e mbështetin tërë zjarrin elektoral mbi korrupsionin e kundërshtarëve. Vulgu i elektoratit sulet pas këtyre akuzave si demat kundër shamisë së kuqe. Dhe, po të ngjashme janë sjelljet e partive sapo marrin pushtetin. Ato marrin në bordin e fitimtarëve ata 100 e ca mijë që do të zëvendësojnë administratën e vjetër dhe rrugët e tyre me pjesën tjetër të popullit ndahen këtu. Fishekzjarrët elektoralë me emrat e të korruptuarve, lenë në fushën e braktisur të votimeve vetëm hirin. Shprehjet, me të cilën kundërshtarët kanë goditur njëri-tjetrin si, “partia juaj është maternitet i krimit”, “ju jeni kryemafiozë të Mesdheut”, lënë një jehonë të shurdhët, që shuhet dalëngadalë. Asnjë shef nga ata të “maternitetit”, e asnjë “kryemafioz” nuk shkon përpara drejtësisë. Dhe, vetvetiu, edhe më të humburit nga ne, votuesit, nuk mund të mos i forcohet bindja se besëlidhja e të dy partive për t’i rrjepur Shqipërisë të shtatë lëkurët që i pat veshur kolektivizimi socialist, vazhdon!
Ngjashmërinë e llahtarshme të qeverive e sheh kudo: Njësoj mungon energjia, njësoj janë të varfra çezmat… E njëllojtë nga të dy palët është fshehja e përbuzjes ndaj pronarëve dhe ndaj të persekutuarve të Hoxhës. Për të shmangur kërkesat e tyre, njësoj futen në valle tjerrjet burokratike, aq të domosdoshme, që të kalojnë vitet: Dokumente, vula, gjyqe, rifreskim dokumentesh në zyrat me zyrtarë të rifreskuar me xhepa të rinj. Kanë vdekur shumë nga pronarët që i kanë ngritur ato prona me duart e tyre, po vdesin dhe pasardhësit e tyre që i mbajnë mend dhe dalëngadalë do të mbeten pasardhës më të rinj, me ndjenja më të dobëta e më pak agresivë në kërkesat për pronën. Vdekja është aleate e dy partive që kanë qeverisur vendin në këto kohëra tranzicionale. Njësoj pritet të vdesin të burgosurit e dikurshëm, që shpërblimin ta marrin vetëm të bijtë, të cilët pa e marrë, do të vdesin edhe ata. Vdesin drejtorët e burgjeve të atëhershme, hetuesit dhe gjykatësit, vdesin anëtarët e Byrosë Politike. E ne, gdhihemi në një shoqëri të re, me pasanikë të rinj, që kanë ditur si bëhet politika në këtë vend të bekuar.
Duket qartë se tek ne qeveriset pa atë, që, gjetiu e quajnë opozitë. Absolutisht nuk mund të quhet opozitë kjo, që sot, bën zhurmë në Parlament. Dhe ja ilustrimi më i mirë:
Muajin e shkuar ndoqa me orë të tëra, pa u shkëputur nga ekrani, një interpelancë, ku Kryeministrit i kërkohej llogari për lidhjet e tij miqësore me një person të dyshimtë, në vathën e mafiozëve ish-jugosllavë. Mbledhja e Parlamentit, që zgjati deri në orën dy pasmesnate, ishte posaçërisht për të dëgjuar shpjegimet e Kryeministrit. Kryeministri ynë, për t’iu përgjigjur pyetjeve, kish ndërtuar një platformë të studiuar, që e zbatoi në mënyrë strikte gjatë fjalës së tij. Ajo fjalë i zgjati një orë e pesëdhjetetre minuta! Dhe asnjëherë nuk u mor me pyetjet dhe me akuzat e kundërshtarëve. Ai e talli mbarë e prapë atë që ne sot e thërresim me emrin opozitë. U lexoi nga tri herë të katra fletët e shkruara që mbante në duar. U përmendi nga të tri herë të gjithë arritjet pas 2005-s, me një shkëlqim më të madh se raportet e kongreseve të dikurshme. Në çdo lexim të përsëritur, paragrafët kishin vetëm hyrjen e re: “Nuk mund të lëmë pa përmendur vizitën e Presidentit amerikan, Bush”,ishte fillimi i paragrafit në leximin e parë. “Vizita e Presidentit Bush tek ne është një nga ngjarjet më të ndritshme historike”, ishte fillimi i përsëritjes së dytë dhe “askush nuk e mendonte ndonjëherë se tek ne do të vinte…”, niste në përsëritjen e tretë paragrafi që, më tej nuk kish asnjë ndryshim nga tri leximet e tjera. Tallje më të egër e më poshtëruese, nuk besoj të haset gjëkundi. Dhe nuk pashë njeri të lëvizte nga vendi. Deputetët që i kërkonin llogari nuk e dëgjuan asnjëherë llogarinë, por ndenjën të gjithë në vendet e tyre dhe e duruan raportin e sukseseve. Asnjëri nuk e braktisi sallën ku po tallej.
Praktika e deritanishme tranzicionale tregon açik se, tek ne, të dy partitë janë në pushtet e thjesht kanë ndarë mes tyre, ca vite kullotash. E teksa njëra luan qeverinë, tjetra luan opozitën. Opozita e vërtetë, ajo e heshtura, e duruara, e përbuzura, e arratisura nuk organizohet dot. Dhe në pastë tentative, partitë që sot kanë pushtetin, nuk do ta lenë atë të marrë formë kushtetuese. Situata është dëshpëruese.