Opozita që na duhej
Si fillim mendoj se, pyetje të tilla, bëjnë pjesë në atë kategori interogacioni që, pa mëdyshjen më të vogël, do ta konsideroja jo vetëm të shëndetshëm, por edhe jetik për një vend. Në përgjithësi, në vende të hapura dhe në mendje të hapura, ato mund të prodhojnë reflektime nga më të larmishmet, hipoteza nga më të pamundurat, analiza nga më të nevojshmet. Shkurt, mund të hapin debate, që mund ti bëjnë veç mirë, jo vetëm opozitës, por dhe shoqërisë në tërësi. Ato mund ta përmirësojnë minorancën, mund të përcaktojnë drejtime të reja aktiviteti, mund të rafinojnë qëndrimet e saj.
Në një vend si yni, më shumë se tek kushdo tjetër, do të duhej të ishte kështu. Në të vërtetë, më shumë se tek kushdo, ndodh e kundërta. T’i përgjigjesh një pyetjeje të tillë tek ne, është njësoj si të hapësh shishen e djallit. Analiza jote, sa hap e mbyll sytë, mund të konsiderohet si një party pris, ajo nuk është më analizë, por mbështetje për dikë, dhe menjëherë mund ta gjesh veten, ti dhe analiza bashkë, në zemrën e një cikloni goditjesh nga çdo anë. Mund të akuzohesh kështu, si tradhtar nga ata që s’kanë qenë kurrë besnikë në jetën e tyre, si antikushtetues, pikërisht nga varrmihësit e Kushtetutës, si injorant nga analistët autodidakt të kafeneve dhe bareve të Tiranës. Mund të të ndodhë e gjitha kjo, për faktin e thjeshtë se, në përgjithësi, Shqipërisë i mungon një opinion i shëndetshëm publik. Në përgjithësi, opinioni publik tek ne formulohet në kafene, ku informacioni dhe mesazhi publik lind nga biseda shokësh qejfmbetur në tymra dhe avuj të ngrohtë. Për fat të keq, ky është opinioni publik që, mediat, me forcën e tyre shpërndajnë në eter. Opinion politike të vjetër, analistësh të rinj, informacioni më i mirë i të cilëve mbërrin veçse nga biseda njerëzore. Larg site-s.
Në këto kushte ka vetëm dy zgjidhje për dikë që dëshiron të kontribuojë me mendimet e tij. Ose të kthejë mendje e të tërhiqet në “skutën” e qetë. Ose, nëse dëshiron të përfshihet, të mund të largohet sa më larg prej zhurmës, për të mos u ndikuar nga ajo, për të pasur kështu një ide më të qartë, i ndihmuar në të njëjtën kohë nga leximet dhe përvoja e gjatë e jetës në vende me demokraci të zhvilluar, përvojë e cila, në gjykime të tilla, të ndihmon në gjetjen e këndvështrimit më të saktë, për të analizuar një opozitë jo nga kalkulime politike të shtyra nga gjithfarë arsyesh, por nga një dhe vetëm një kënd; atë të rolit të saj në demokratizimin e vendit tënd. Sidomos kjo, në vende në tranzicion.
E parë në këtë këndvështrim, opozita e sotme, pavarësisht nga opinionet e shumta që variojnë (të cilat jo rrallë udhëhiqen nga kalkulime personale) përbën një risi demokratike në vend. Pa e ekzagjeruar, kemi të bëjmë me një opozitë manuali demokracie, në mënyrë të veçantë, një demokracie në fazën më delikate të zhvillimit të saj, atë të tranzicionit. Por çfarë i kërkohet një opozite në një stad të tillë (jemi dakord, besoj, se nuk i kërkohet të jetë ekzekutiv, siç mendonte një analist para disa ditësh, teksa i kishte listuar një sërë problemesh, të cilat në 99% të tyre i takonin pushtetit)?
I kërkohet, në radhë të parë, të punojë dhe të jetë aktive në institucionalizimin e një kulture demokratike. Ndryshe, i takon të kontribuojë në lindjen (në këtë nivel jemi) dhe konsolidimin e disa standardeve demokratike jetike për demokracinë. Në radhë të parë të pranojë dhe ushtrojë praktikën demokratike të rotacionit të pushtetit. Dhe në këtë rast, si rotacionin e pushtetit, ashtu dhe atë të lidershipit të saj. Mos harrojmë, ashtu siç shprehet me të drejtë Huntington-i, (Samuel P. Huntington “The third ëave. Democratization in the late tëentieth century”, Norman, University of Oklahoma Press, 1993, f. 283-287) dy rotacione të njëpasnjëshme pushteti, pa reklamime, përbëjnë as më shumë e as më pak, fillimin e konsolidimit të demokracisë. I takon, gjithashtu, të kontribuojë në shndërrimin në rutinë demokracie të konsensusit politik, aq i vështirë dhe i pamundur në shoqëritë pa një përvojë demokracie në historinë e tyre. Delikate është, sidomos, marrëdhënia e opozitës me qytetarin në tranzicion. Në periudha të tilla të vështira, në më të shumtën e herës, qytetari është një njeri i frustruar dhe do të mjaftonte veçse pak për ta shndërruar frustacionin e tij në agresivitet. Por, mund të ndodhë dhe e kundërta; një qytetar pasiv, pa një orientim të qartë, me ide që mund të variojnë nga indiferenca, deri tek urrejtja për demokracinë dhe jo pak raste, mund të asistojmë në lindjen e një ndjenje nostalgjie për sistemin totalitar të së kaluarës. Jo rrallë, periudha të tilla që ngjajnë me depresionin tek kafshët, sjellin në fuqi forca, veçanërisht autoritare. Përballë një qytetari të tillë, lipsen të ndërtohen politika të kujdesshme dhe afatgjata, të cilat duhet të orientohen në dy drejtime; në nxitjen dhe stimulimin e pjesëmarrjes së qytetarit në diskutimin e çështjeve publike nëpërmjet dialogut dhe debatit dhe, nga ana tjetër, në përthithjen e interesave civile të tyre dhe shndërrimin më pas në opinion publik. Shkurt dhe thjesht, në një stad të tillë demokracie, përveç të tjerëve dhe në mënyrë të veçantë, i takon opozitës, hapja e hapësirës publike për mendimin qytetar.
Në të gjithë këtë aktivitet, thelbësor për mbarëvajtjen e sistemit dhe në mënyrë të veçantë të vetë rolit opozitar, vendimtar është ligjërimi demokratik, i artikuluar, detyrimisht në një gjuhë dhe fjalor qytetar.
Ka edhe më, sigurisht. Një opozitë e mirë duhet të rrisë besimin e qytetarit tek demokracia në përgjithësi dhe institucionet në veçanti. Ndaj, ajo duhet, përveç të tjerave, të jetë një opozitë alternativash dhe programesh qeverisëse. Në të kundërt, nuk ka pse t’i përkasë e ardhmja.
A e kemi pasur në këto vite tranzicioni një opozitë të tillë, ndërtuese? Asnjëherë. A e kemi një të tillë sot? Mendoj se po. Mendoj se ne kemi sot një opozitë, të tillë që po përpiqet të fokusohet në lindjen, pra, dhe ndërtimin e standardeve të përmendur më sipër, standarde të cilët nuk kanë ekzistuar më parë. Në rastin më të mirë kemi pasur aplikime sporadike dhe asnjëherë një politikë të vërtetë.
Për të parë më qartë dhe kuptuar rolin e opozitës së sotme, duhet dalë dhe larguar nga tymnaja e jashtëzakonshme, e cila karakterizon sot opinionin publik shqiptar, i cili, në më të shumtën e herës, bazohet në gjykimin e saj, në këndvështrime tepër të ngushta. Të paktën, më të ngushta se ai rolit të opozitës në demokraci.
Një këndvështrim i tillë, do të mund të të lejojë pra, të dallosh qysh prej së largu se kjo opozitë e sotme futi për herë të parë standardin e rotacionit politik paqësor. Qoftë ky për ekzekutivin, qoftë për kryetarin e partisë. Është kjo opozitë, e cila jo vetëm jep konsensus për reformat e mëdha në vend, por përkundrazi e kërkon atë, duke kuptuar para të tjerëve rëndësinë e tij si parim demokratik dhe, në mënyrë të veçantë, si kërkesë jetike për ecurinë e integrimit evropian dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk mund të mohohet gjithashtu se, edhe pse e gjendur përballë një pushteti autoritar e plot skandale, në vend të rrugës më të lehtë, atë të populizmit provokator dhe nxitës të turmave, ka zgjedhur rrugën më të vështirë, por me sukses afatgjatë: Atë të nxitjes së qytetarëve të këtij vendi, nëpërmjet dialogut me Shqipërinë dhe bordeve qytetare, për të marrë pjesë aktive në diskutimin e çështjes publike në këtë vend. Nëpërmjet enciklikave të saj, ajo ka mundur, gjithashtu, të sjellë në “Tiranë”, pra të hapë hapësirën publike dhe të shndërrojë në opinion publik të gjitha ato shqetësime të njeriut shqiptar, që ne nuk i dimë dhe në ndonjë rast i injorojmë. Ka ditur, gjithashtu, të prodhojë alternativë. Dhe së shpejti edhe një program qeverisës, duke krijuar kështu një horizont të qartë për zgjedhësin e paqartë e të turbulluar shqiptar.
Ai i ka realizuar 100 % këto? Do të ishte naivitet i madh të pranosh këtë. Por ama ka arritur të hapë “kantiere” të reja pune dhe aktiviteti, të panjohura më parë për opozitat shqiptare, të mirënjohura nga ne. E bashkë me to ka hedhur themelet e një precedenti demokratik, shpresojmë të detyrueshëm për zbatim nga opozitat që do të vijnë. Një model opozite e re për ne, një opozitë si prej manuali demokracie. E si e tillë, do t’i sugjeroja, që, në përputhje me realitetin shqiptar, të rriste sa më shumë të jetë e mundur monitorimin e politikave publike dhe, në mënyrë të veçantë, të mbante ndezur shpirtin e protestës paqësore qytetare.
Po, mendoj se është opozita që na duhet. Ose më saktë akoma, opozita që na duhej prej kohësh.