E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tituj të pamerituar

POGRADECI DHE HISTORIA

Nëse i hedh një sy listës së qytetarëve të nderit në Pogradec, shpallur në këto 18 vitet e fundit, do të gjesh emra vërtet të nderuar si, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Luan Starova, Esat Oktrova, Niko Nikolla, Anastas Kostandini, etj.

Por do të gjesh edhe një grup holandezësh që kanë sjellë një farë patatesh në Mokër, një gjerman që ka ndarë një makinë me rroba të përdorura në popull, emra arabësh që kanë sjellë ca thasë me miell (madje Poradeci e Kuteli janë miratuar pas tyre).

Janë këto fakte që e kanë bërë të ndihet keq një doktor të mirënjohur, i cili ka refuzuar titullin ditët e fundit, megjithëse u njoftua me një mesazh nga kryebashkiaku. Natyrshëm lind pyetja se pse ndodh kështu?

Sepse kartonët në Këshillin Bashkiak për emrat që shpallen qytetarë nderi, ngrihen sikur vendoset ndonjë ndihmë ekonomike për të vobektit. Në këtë qytet, zëri i intelektualëve smuflohet. Nuk ka standarde, në bazë të të cilave të gjykohet pse X do të shpallet ose jo qytetar nderi. Pushteti nuk ka oponencë nga asnjë forum intelektualësh apo nga Lidhja e Shkrimtarëve të rrethit. Në vend të mendimit të tyre, po shfaqet një specie tjetër, ajo e nëpunësve shërbëtore që nuk ngrenë probleme, që “flasin të matur”, që asnjëherë nuk thonë të vërtetën. Këta, edhe kollaren e mbajnë me ngjyrën e partisë dhe të shefit të radhës.

Çdo kryetar bashkie ka shpërndarë titujt “Qytetarë Nderi” sipas preferencave të tij. Nuk merret vesh nga vjen ky propozim dhe çfarë CV-ja ka ky njeri, çfarë ka dhënë për qytetin që t`i akordohet ky titull. Pikërisht këto sjellje kanë bërë që personalitete të nderuara si, Dr. Prof. Jovan Basho t’ua lenë titullin në dorë pushtetarëve, duke e refuzuar atë.

Sigurisht, edhe nëse ky apo ai pushtet lokal dhe kjo apo ajo bashki, nuk ua jep titullin personaliteteve që e kanë merituar prej vitesh, atyre ua ka dhënë titullin populli. Dhe ky titull vlen shumë më tepër. Le ta ilustrojmë me një shembull: Gjatë Luftës së Parë Botërore, në Pogradec është vendosur për dhjetë vjet një inxhinier francez, Albert Gariku. Ai u dashurua marrëzisht me Pogradecin. I hyri punës për një projekt të qytetit, të cilin e ka cilësuar “Pogradeci, Venecia e Ballkanit”. Albert Gariku projektoi dhe hapi dy rrugët kryesore të qytetit, atë buzë liqenit dhe rrugën tjetër paralele. Projektoi që qyteti të ngrihej në kodra, me godina njëkatëshe në breg dhe lartësim gradual (katet do të rriteshin sipas distancës prej bregut dhe i gjithë qyteti do të ngrihej si një amfiteatër mbi liqen). Në projekt parashikohej që dy lumenjtë e Pogradecit të thelloheshin dhe të lidheshin rrëzë kodrave të qytetit dhe të bëheshin të lundrueshëm; parashikohej ngritja e një teleferiku në kalanë e qytetit etj.

Ky personalitet, i cili për dekada punoi për këtë qytet, jo vetëm nuk është shpallur “Qytetar Nderi”, por asnjë rrugë apo shkollë nuk mban emrin e tij. Kjo ka një arsye. Qyteti është masakruar nga ndërtimet pa leje apo me leje të çmendura, ku një ndërtesë qëndron në themelet e tjetrës dhe bregu është pushtuar nga shumëkatësh pa sens, që kanë bllokuar pamjen e liqenit. Ing. Giruku ka pak vend këtu...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›