E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballë galopit të uzurpimit

Është kjo opozita që i duhet Shqipërisë? Si do ta gjykonit rolin e saj? Çfarë ka bërë mirë, çfarë mund të bënte më mirë?

T'u jepet një përgjigje këtyre pyetjeve, nuk është as e lehtë, as e menjëhershme. Aq më tepër që funksioni e sjellja opozitare, rrugët e ndjekura dhe mjetet e përdorura nga një opozitë demokratike, në çdo vend të botës reflektojnë përgjithësisht, në intensitet, hapësirë e kohë, një situatë konkrete politike. Dhe, padyshim, edhe si reagim ndaj vetë qeverisjes!...

Modeli "opozitar" i PD-së (si në periudhën 1991-1992, apo pas vitit 1997 e vitet pasuese të qeverisjes socialiste), shfrytëzimi prej kësaj force politike i "rrugës" përkundrejt betejave normale politike në institucione, tensionimi e mungesa e kompromisit, gjuha e luftës dhe e akuzave monstruoze politike, sjellja opozitare krejtësisht repulsive ndaj iniciativave kryesore ligjore, si p.sh., ajo e Kushtetutës, goditjet antidemokratike të institucioneve, etj., me dashje apo pa dashje, e kanë "ushqyer" këtë model opozitar, shumë larg të qenit demokratik. Ishte pikërisht ai model refraktar i PD-së, që e la atë parti 8 vjet në opozitë, bile që do ta linte aty po të mos bëheshin ato projektime apo gabime elektorale të forcave të majta në vitin 2005! Parë në këtë këndvështrim, imitimi i një sjelljeje opozitare të ngjashme me PD-në edhe nga PS-ja, apo opozita në përgjithësi, do të ligështonte të gjitha arritjet e mëparshme të saja të qeverisjes socialiste në procesin e integrimit, të avancuara praktikisht më tej si në procesin e MSA-së, ashtu dhe atë të anëtarësisë së shpejtë të Shqipërisë në NATO.

Nuk mohohet që reagimet e opozitës, menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005, kanë shfaqur një ngërç jo të vogël, sidomos me shfrytëzimin me teprim të "teknologjisë" së bojkoteve të njëpasnjëshme në procesin parlamentar. Por, nga ana tjetër, dhe shumica e sotme e provokonte një sjellje të tillë në vazhdimësi me një agresivitet primitiv, deri duke propaganduar e ushqyer konceptin jodemokratik të një shumice parlamentare, si komanduese e pushtuese të gjitha strukturave të shtetit. Aq më tepër, që ajo jo vetëm goditi shumicën e institucioneve të pavarura, por largoi gradualisht, me metoda aspak ligjore e demokratike, pjesën dërmuese të administratës publike.

Pra, parë nga rezultatet e luftës së drejtë apo rezistencës opozitare, nuk mund të mos mohohet që roli i opozitës ka qenë me efektivitet mbrojtës të dobët përkundrejt galopit të uzurpimit e pushtimit të gjithanshëm të pushtetit prej PD-së. Edhe niveli i depërtimit të opozitës, opinionbërja, apo shkalla e sensibilizimit të saj në gjirin e komunitetit ndërkombëtar, në dy vitet e para të qeverisjes aktuale, përgjithësisht është vlerësuar relativisht e dobët. Po ashtu, edhe orientimi opozitar, në jo pak raste, ka rezultuar pa një bosht të qartë. Kulmi i kësaj paqartësie opozitare, thyerja apo "fraxhiliteti" i saj u dëshmuan edhe në procesin e zgjedhjes së Presidentit...

Veprimet e mëvonshme, pas humbjes së këtij shansi ekuilibrues, edhe pse pagëzoheshin si politikë e re apo politikë ndryshe, nuk konvergjonin patjetër as me interesat e opozitës në tërësi e kultivimin e një klime politike bashkëkohore brenda saj, as nuk lidheshin qartë me perspektivën zgjedhore të përbashkët të kësaj opozite, as me ndonjë unifikim politik përfshirës të krahut të majtë të saj. Edhe pretendimi më i fundit reformues, qoftë në planin kushtetues e ligjor, apo atë politik-demokratik, nuk duket favorizues. Jo vetëm në shërbim të kësaj opozite, por dhe mirëfunksionimit të institucioneve të pavarura të shtetit! Kështu, pas këtyre "ngutjeve", edhe pse unifikimi do të garantonte shumë më tepër fitoren, mundësitë reale bashkuese të mëtejshme brenda opozitës në procesin zgjedhor, po rezultojnë gati të pamundshme.

Nga ana tjetër, nuk mohohet se situata sot është krejt ndryshe, veçanërisht në konceptim e qartësi. Pra, me gjithë zigzaget në projektimin politik apo momentet jo patjetër të favorshme të dhënies së konsensuseve, është fuqizuar roli opozitar, kapaciteti goditës është në rritje, edhe pse në jo pak raste dhe i pamjaftueshëm. Pamjaftueshmëri të tilla opozitare kanë mishëruar dhe ngjarje të rënda, që do të rrëzonin brenda një ore çdo qeveri në një vend demokratik. Të tilla janë, p.sh., tragjedia kriminale e Gërdecit apo ngjarje të tjera korruptive të kohëve të fundit, që më tepër janë demaskuar nga media sesa nga veprimi politik i opozitës. Ndërkohë që, ndryshe nga sjellja e egër në opozitë e pozitës së sotme, sjellja e opozitës së tanishme vlen të vlerësohet për përmbajtjen e saj qytetare, shumë më shpesh konstruktive...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›