E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Duhet të jemi ne zotër të fushës

Tekniku i Kombëtares shqiptare, Ari Han ka dhënë dje konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Suedinë, që do të luhet sot në “Qemal Stafa”. 

Fatjon Kodra

Holandezi ka folur me superlativa për skuadrën skandinave, por kërkon nga kuqezinjtë që të jenë ata dominuesit në fushën e lojës. “Kam shumë besim te skuadra ime se do të luajë ashtu si bëri pjesën e parë kundër Lihtenshtejnit, shumë e organizuar. Mendoj se mund të arrijmë një rezultat të mirë, pasi është i rëndësishëm një start i mirë. Kërkoj të kem një skuadër të tërë në fushë e jo të bazohem tek individët. Formacionin që do të zbresë në fushë ende nuk e kam përcaktuar, pasi kemi në dispozicion edhe një seancë stërvitore. Duhet që lojtarët e mi të japin maksimumin. Duhet të jemi zotër të fushës”. Han pranoi gjatë konferencës së tij për shtyp se tifozeria do të ndikojë shumë në paraqitjen e skuadrës sonë, por nuk mendon se ajo do të ndikojë negativisht te lojtarët kundërshtarë: “Të gjithë ata luajnë jashtë dhe kanë shumë eksperiencë, janë mësuar me publik”. Pasardhësi i Oto Bariçit i vuri pikat mbi “i” kur shpjegoi filozofinë e tij për futbollin. “Kërkoj një disiplinë të fortë taktike nga lojtarët. Me skuadrën që kam është paksa e vështirë. Lojtarët individualistë duhet të sjellin rezultate të mirë në funksion të skuadrës. Nëse dikush bën një paraqitje të mirë  personale, por nuk i shërben skuadrës, atëherë, unë si trajner nuk përfitoj aspak. Lojtarët duhet të mësohen, që vetëm kur fitohet ne kemi lojtarë të mirë”. Përballë një skuadre me lojtarë të nivelit të lartë, ish-trajneri i Kinës e Kamerunit pohoi edhe rebusin e tij: “Skuadër ofensive? Varet çfarë kuptoni ju me këtë. Do të kemi një skuadër me lojtarë ofensivë, apo do të luajmë në mënyrë ofensive. Pasi mund të kesh edhe 7 në mbrojtje e 3 në sulm. Ne luajmë në fushën tonë dhe pa dyshim që do të bëjmë një lojë sulmuese”. Ari Hani vlerësoi forcën e kundërshtarit, i cili ka qenë 11 herë në finalet e një Kampionati Botëror, e madje ka qenë nënkampion i botës në vitin 1964. “Suedia ka një skuadër mjaft të fortë, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve luajnë në kampionate prestigjioze e jo në Suedi. Suedia ka eksperiencë, ka lojtarë shumë të vjetër. Lagerbark punon prej shumë vitesh me këta lojtarë (nga viti 2000). Kjo do të thotë se ata e njohin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit me sy mbyllur. Kjo e bën edhe më të vështirë lojën tonë. Suedia është një skuadër të cilën me vështirësi mund ta mposhtësh. Një skuadër e madhe”.

Ibrahimoviç
“Ibrahimoviç është një lojtar që bën përjashtim dhe është shumë i rëndësishëm për Suedinë. Nëse ai do të japë 100 për qind të tij, atëherë nuk ka mbrojtës ta eliminojë. Një lojtar i tillë ka nevojë vetëm për pak hapësirë. Për momentin nuk luan në nivelin e tij. Ne do të përqendrohemi ndaj tij, në mënyrë që ai të marrë sa më pak topa”, - tha Ari Han.

Kritikat
“Ervin Skelës i kam thënë se ti nuk luan në një skuadër të mirë (Shqipëria). Nëse je një lojtar i lirë, duhet të bësh më tepër për skuadrën. Vetëm nëse qarkullojmë topin mirë, nuk e teprojmë me veprime individuale atëherë mund të jemi të rrezikshëm. Pak a shumë këtë i kam kërkuar Berishës. Këtë do i kërkoj në vazhdimësi skuadrës”, është shprehur Ari Hani në lidhje me këtë çështje.

Sulmuesi
Trajneri e ka bërë të ditur se do të luaj me një sulmues të mirëfilltë. “Zyrtarisht nuk mund t’ua konfirmoj. Më duhet të shoh edhe njëherë lojtarët. Kemi ende edhe një seancë stërvitore. Kam tre sulmues në dispozicion (Bogdanin, Kapllanin e Salihin). Nëse do ta përcaktoj që tani, ai ndoshta mund të dëmtohet në stërvitjen e fundit, e më duhet të vendos tjetrin”.

Formacioni
Përsa i përket formacionit anti-Suedi, Ari Han ka preferuar t’ia lere gjithçka orëve të fundit, duke mos bere publik asnjë emër. Burime pranë Kombëtares, bëjnë te ditur se dilemat e holandezit janë në dy reparte, ne porte dhe ne sulm. Ndërkohë ne mbrojtje priten te luajnë Dallku, Curri, Beqiri e Vangjeli, ndërsa në mesfushe Lala, Cana, Skela e Duro. Edhe Hyka nga minuta e parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›