E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kalimi i konvikteve bashkisë do i lërë nxënësit pa bukë”

 

SHKODER - Vendimi i qeverisë për kalimin e konvikteve të shkollave të mesme në varësi të njësive vendore rrezikon  që nxënësit në vitin akademik 2008-2009 të mbesin pa bukë. Një shqetësim të të tillë e vuri në dukje kryetari i bashkisë së Pukës, Rustem Struga, gjatë një takimi që zhvilloi dje me prefektin e Shkodrës, Maxhid Cungu. Sipas tij, është absurde që qeveria të vendosë kalimin e konvikteve dhe personelit ndihmës në varësi të bashkisë, ndërkohë që buxhetin e këtyre konvikteve e përcakton ministria. Gjer tani në qytetin e Pukës janë rreth 140 nxënës, kryesisht të shkollave të mesme, që jetojnë në konvikt. Ndërkohë që në këtë shifër nuk janë llogaritur nxënësit që mund të regjistrohen këtë vit shkollor. Ministria e Arsimit ka nxjerrë një urdhër disa muaj më parë, sipas të cilit konviktet do të kalojnë në varësi të njësive vendore. Kjo shoqërohej edhe me financimin përkatës, madje saktësohej edhe numri i punonjësve që duhet të kishin këto konvikte. Por duke iu referuar listës që i bashkëngjitej këtij vendimi, aty bëhej fjalë vetëm për personelin ndihmës të konvikteve si kuzhinierë, pjatalarës, pastruese, roje etj., por nuk përfshiheshin personeli drejtues, si drejtorët apo kujdestarët. Mësohet se këta të fundit do të jenë në varësi të Drejtorisë Arsimore. Madje, Drejtoritë Arsimore do të kenë të drejtën edhe të regjistrimit të nxënësve. “Kjo është absurde. Financimet për konviktet janë të përcaktuara nga ministria, tenderin për ushqimin e tyre e bën bashkia, ndërkohë që numrin e konviktorëve e përcaktojnë të tjerët”, u shpreh kryebashkiaku i Pukës. Sipas tij, këto vendime gjysmake të ministrisë mund të ndikojnë që këtë vit shkollor konviktorët të mbesin pa bukë.       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›