Berat, vetëhelmohet nëna e dy fëmijëve
BERAT - Nuk e ka duruar dot gjendjen teksa fëmijët i qanin për bukën e gojës, ndaj i jep fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja e rëndë ndodhi në Berat rreth orës 18:00 të së enjtes. Sipas policisë, nëna e dy fëmijëve, Rudina Beshiri, banore e lagjes Uznovë, i ka dhënë fund jetës duke pirë një dozë të madhe fostoksine. Mësohet se familja Beshiri ishte tejet e varfër. Për këtë shkak, 26-vjeçarja kishte herë pas here konflikte me të shoqin, i cili nuk kishte mundur të gjente një punë stabël. Nga hetimet paraprake dhe dëshmia e të afërmve të viktimës, policia tha se ngjarja ka ndodhur në kushtet e një depresioni të rëndë. Nëna e re nuk ka mundur të përballojë mungesën e bukës për dy fëmijët e saj. Pikërisht ditën e ngjarjes, ajo kaloi në një depresion të rëndë, kur nuk kishte mundësi të siguronte ushqim për fëmijët e saj. Brenda harkut kohor të tetë muajve, në rajonin e Beratit kanë gjetur vdekjen nga vetëhelmimet 7 vetë, nga të cilët pesë janë femra. d.xh