E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga inspektorit tatimor, i kërkoi para biznesmenit

 

POGRADEC – Një shumë prej 400 mijë lekësh përfitim ka kërkuar inspektori tatimor në Pogradec, Gavrosh Papa, për të lehtësuar nga faturat një subjekt privat. Por, kjo kërkesë e ka çuar dje në qeli 29-vjeçarin, pas akuzës së ngritur ndaj tij për korrupsion pasiv. Ndaj inspektorit ishte regjistruar denoncimi prej përfaqësuesit të një subjekti, emri dhe aktiviteti i të cilit nuk u bënë publik. Menjëherë pas hapjes së dosjes në Prokurorinë e rrethit të Pogradecit nisën hetimet, që mesditën e djeshme u pasuan me arrestimin në flagrancë të Papës. Inspektori i Degës së Tatimeve, me arsim të lartë, u ndalua rreth orës 12:00 nga Departamenti për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit. “Nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale, ka rezultuar se shtetasi Gavrosh Papa, duke shfrytëzuar detyrën i ka bërë presion një subjekti për t’i krijuar lehtësira tatimore kundrejt përfitimit prej 400 mijë lekësh”, pohohet zyrtarisht nga Policia e Shtetit. Sipas të njëjtave burimeve theksohet se hetimet po vazhdojnë, duke u shtrirë në të gjithë aktivitetin e Papës, nëse ka pasur dhe më parë abuzime duke shpërdoruar detyrën.                    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›