“Për të fituar një Gines, nënshkruan për riskun me jetën”
ANILA MEMA
Jo më kot është ajo shprehja popullore, “kush duron fiton”. E nëse Saimir Strati, artisti i njohur nuk do ta kultivonte brenda vetes durimin, Shqipëria a do të bëhej pjesë për të tretin vit e Rekordeve Gines?! Por kjo është njëra anë e medaljes, tjetra është pasioni, pasioni për artin e pa industrializuar, artin për të cilin nënshkruan në kontratë se merr përsipër edhe risqet për jetën. Një kusht, ky për t’u bërë pjesë e rekordeve botërore. Nëse këto ditë anë e mbanë botës, flitet për një rekord të ri, për një mozaik të mrekullueshëm, më të madhin, realizuar me tapa shisheje vere, për Saimir Stratin këto ditë kanë qenë më tepër së të vështira. Të ngjisësh dhe të zbresësh 37 herë në ditë, një skelë shtatë metra të lartë, do të thotë sforcim. Por ky nuk është rasti i parë. Sot, që prej një viti më parë, kur realizoi “kalin pa fre” me kunja dhëmbësh, sytë i ndjen të lodhur. Por Strati ka bërë pakt me veten: materialet industriale t’i kthejë në art.
Keni arritur ta besoni që keni fituar Ginesin e tretë. Sot (dje) që e shihni të përfunduar këtë vepër, si ju duket?
Nuk mund të them që jam i befasuar, sepse unë punova pikërisht për këtë. Por e shoh me një lloj habie, në një moment, më duhet të tund pak kokën të freskohem dhe të them, vërtetë mbaroi?! Është shumë mirë, gjithçka kaloi ashtu siç duhej. Funksionoi strategjia ime, pasi për të bërë një vepër të tillë në një kohë të limituar duhet të përgatitesh para. Qoftë nga ana teknike, qoftë nga ana psikologjike, qoftë nga ana fizike. Fati e solli që gjatë kohës që unë isha duke punuar nuk pati ndryshime temperaturash. E përballova vapën, nuk kishte shi, jo se do të dëmtonte punën, por do të më s’postonte disa orë nga puna. Por tani e besoj që e kam bërë dhe më duket sikur kam fituar një mik më shumë. Ndonëse ka qenë kapricioze.
Kapricioze në ç’kuptim? Pak ditë më parë keni thënë që mozaiku ishte një gjigant, që tentoi t’iu rrëshqiste nga duart...
Kapriciot e gjigandit ishin të mëdha. Më duhet ta përballoja. Sot e kam zbutur.
Gjatë ditëve të punës keni hasur probleme, vështirësi për ta përfunduar, a ka pasur një moment që keni thënë “kam frikë...”?
Deri tek “Kam frikë...”, nuk kam arritur. Frerët i kam mbajtur vetë dhe e dija që do e çoja deri në fund. Por vetë dimensioni i veprës ishte i madh. Duhet ta pranoj që herë-herë më mbyste, duhet të shmangesha, duhet të gjeja strategjinë, duhet të bëja lëvizjet e duhura, sepse duke pasur parasysh që do të përfundohej vepër arti. Dimensionet bëjnë rekord, por pjesa tjetër është imja si artist. Njerëzit që vëzhgonin punën time, e kanë numëruar që unë kam hipur dhe zbritur nga skela mbi 37 herë në ditë, pasi duhet të kontrolloja pjesën harmonike midis ngjyrave dhe dimensioneve dhe kështu që ka qenë e lodhshme dhe e kënaqshme. Ajo që më mbante në tension ka qenë se a do të arrij unë ta bëj vepër arti siç dua?!
Në të vërtetë është folur shumë për dimensionet e saj. Realet cilat janë?
Ato që u matën përfundimisht ishin 7 metër e 10 centimetër e lartë dhe me 12 metra e 90 cm e gjatë.
Është folur që janë përdorur rreth 300 mijë tapa shishe vere. Janë të ngjyrave dhe dimensioneve të ndryshme. Si i keni siguruar?
Është një vit parapërgatitje, kam marrë informacion ku mund të ketë pasi normalisht kur të lind ideja, duhet të gjesh materialin dhe pastaj duhet ta sigurosh atë. Si funksion, sa është gama e ngjyrave dhe formave. Kur i siguron dhe i ke përpara, në bazë të saj edhe punon. Fillon të merresh me subjektin. Por unë i kam gjetur në kantinat e vjetra që nuk funksionojnë më, veçanërisht tapat me ngjyrat e errëta. Pjesën tjetër duhet ta blija. Tapa ka shumë në botë. Ata që punojnë për ta bërë art janë të paktë.
Dje ju keni fituar një rekord të ri. Nesër ç’do të bëhet me këtë mozaik. Si do të jetë vijimësia?
Këtë gjë ja kam lënë në dorë menaxherëve, të marrin kontaktet, dhe vepra fillon të bëj xhiro e botës. Fillon kontakte dhe kontrata, por të jeni e sigurt se unë nuk di fare se si bëhen dhe si ndodhin këto punë, këtë pjesë jua kam besuar menaxherëve dhe merren ata. Gjithmonë unë kam një parim në jetë. Më duhet të bëj shumë mirë atë që di të bëj vetë. Deri këtu ia arrita, më tej se çoj dot. Thjeshtë duhet të mendoj ç’do të bëj për rekordin e ardhshëm.
Me dy parat, si është proceduar?
Me aq sa di unë, janë dërguar në dhomat e ankandeve me qendër në Londër e Nju Jork. Normalisht nuk dërgohen veprat, se është e vështirë spostimi, dërgohen filmimet, fotografitë, detaje për artistin, veprën, të gjitha këto janë depozituar, ata i verifikojnë. E reja është se mua më është kërkuar nga Akademia e Rekordeve që t’i regjistroj atje. Jam i kënaqur. Që do të thotë që veprat njihen nga një Akademi, për teknikat e tyre. Nëse rekordet Gines vlerësohen për dimensionet, Akademia merret me teknikat. Duhet të merrem me dërgimin e dokumentacioneve si certifikata e rekordeve, disa filmime, disa të dhëna. Ndërsa për pjesën artistike, çfarë ka ndodhur? Unë jam ftuar në disa vende të botës të performoj live, një eksperiencë e mirë ishte në Dubai. Ishte eksperiencë e këndshme se mu kërkua të jepja leksione në Akademinë e Arteve të Bukura. Po me studentët aty arritëm të bënin diçka me gozhdë. Ndërkohë jam i ftuar nga këshilli kulturor i Dubait, si artiste i çmimeve avangarde, për të bërë një tjetër rekord aty.
Përveç certifikimit, ky rekord botëror ka vlerësim monetar. Si procedohet pas vendimit?
Unë kam pyetur kolegët e mi, ata që kanë fituar rekordet Gines se si funksionon në vendet e tyre. Për kuriozitetin e gjithë lexuesve shqiptarë me duhet të them se minimalisht vetëm e drejta televizive, do të ishte 150 mijë euro. Por unë nuk vura asnjëherë një tra ku të priteshin bileta, për të gjithë veprat që kam realizuar. Plus e drejta e imazhit, që nuk e di se sa mund të shkojë. Rekordet Gines japin vetëm certifikatën. Që në fillim nënshkruhet në kontratë, pasi unë prezantoj idenë time, bashkë me pjesën tjetër që duhet ta deklaroj mirë se ç’duhet të bëj dhe si duhet ta bëj, firmoset edhe ekzaktësisht “ne nuk japim monedhë, por kënaqësi shpirtërore”. Unë nuk nisem që do të bëj një rekord dhe do të marrë lekë. Këtu nuk ka infrastrukturë menaxheriale, që unë të arrij të marr lekë.
Ç’kushte të tjerash, duhet të plotësohen për t’u bërë pjesë e rekordeve botërore?
Një detaj për t’u bërë pjesë e rekordeve është se materialet duhet të jenë element industrial. Unë si artist duhet të bëj të mundur kthimin e një materiali industrial në art. Ndërkohë që rëndom duke futur monedhën, shikoj që arti është industrializuar shumë. Unë nuk jam kundër rrymës, por më duhet të bëj atë që ndjej. Është shumë e pështirë të shohësh një art të industrializuar. Unë industrinë dua ta kthej në art.
Mbartni dhe risqe në këtë procedurë. Pak më parë më thatë që vështirësia për këtë mozaik qëndronte tek lartësia, ndërkohë kam mësuar se me rekordin paraardhës, keni pasur probleme me sytë. Ç’ndodh në këtë rast?
Ka risqe padyshim. Firmoset në kontratat që ne nënshkruajmë se Rekordet Gines nuk mbajnë përgjegjësi për risqet. Kjo është kontratë për të gjithë. Por kjo vlen veçanërisht për ata që hidhen nga lartësitë. Mozaiku më ka sjell probleme natyrisht, por pasojat ndihen pak më vonë. Deri tani unë nuk ndjej vështirësi përveç asaj pjesës së lartësisë që nuk isha mësuar edhe duke lëvizur platforma, dukej sikur më lëvizte skela. Duhet ta provosh, por unë e them me çiltërsi që kam ndjerë vështirësi. Në mozaikun e dytë, sytë nga kunjat e dhëmbëve kanë krijuar një lodhje të vazhdueshme. Por për mua një punë është si sytë e ballit. Katër sy nuk janë asgjë.
Puna pa rekordet
Pjesën tjetër të vitit, Saimir Stratit, artistit që punon me mozaik e pikturë i duhet që të punojë, të krijojë. “Më duhet të merrem me pjesën artistike, diku-diku më duhet të bëj punë që dikush më kërkon. Kam dërguar punë në DXaleri të ndryshme që janë ekspozuar, në Londër, Nju Jork, Dubai, më duket se duhet të çoj diçka në Hong-Kong. Por më duhet të punoj edhe për të jetuar. Punoj dhe pikturë se më duhet të kujtoj atë kohë nga e kam nisur rrugën e artit. Dhe gjithmonë mes dy mozaikësh kam një pikturë”, thotë ai. Ndërkohë sapo ka nisur punën për realizimin e Mozaikut “Mesdheu”, me të cilin u bë pjesë e rekordeve Gines për të tretin vit, ambientin që kishte me qira, si studio nuk e disponon më. “jam në kërkim të një tjetër ambienti, ndoshta me pak më shumë dritë natyrale”, thotë ai.
Në pritje të Ginesit të IV
“Kam mundësi, unë mundem, unë do të bëj. Nuk mund të them mjaft, boll janë. Kam një ide, do të kem ndoshta një informacion shumë shpejt. Kam lidhur kontratat që unë të mund të realizoj një rekord Gines në Dubai, në vendin e rekordeve. Subjektin s’e kam përcaktuar, kam caktuar disa materiale dhe duhet të përzgjidhet njëri prej tyre. Eshtë herët për të folur”, thotë artisti.
Strati: Kush duron, fiton
Gjithkush do të pyeste, ku e gjen gjithë atë durim për të punuar mbi 16 orë në ditë dhe me materiale të tilla industriale, si kunja dhëmbësh, gozhdë, apo tapa shisheje vere. Po s’e thotë kot Saimir Strati: përgjithësisht durimi nuk shitet që unë ta blej, e kam brenda vetes. E kam kultivuar”. Dhe durimi ka qenë pjesë e këtyre fitoreve.
Një foto me mozaikun
Kur sheh tek afrohen pranë mozaikut, e prekin, bëjnë foto, diskutojnë për të natyrisht i vjen mirë. Por tani është hera e tretë, që përjeton emocione të tilla. “Në fund të fundit për shqiptarët e kam bërë”, thotë Strati, por kur e pyet se çka marrë nga ky vend, ia beh menjëherë përgjigja: kam marrë shumë, respektin mbi të gjitha”.