E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç refuzon takimin me Sejdiun: Vetëm në negociata

 

Presidenti serb, Boris Tadiç ka përjashtuar mundësinë për të takuar homologun kosovar, Fatmir Sejdiu. Tadiç deklaroi se kushti i vetëm për t’u takuar me Sejdiun do të ishte një takim negociues, nën mbikëqyrjen e OKB-së, dhe për të diskutuar statusin e ardhshëm të Kosovës. “Mundësia e vetme për të zhvilluar një takim mes Presidentit Boris Tadiç dhe zotit Sejdiu është nëpërmjet negociatave të reja, të mbikëqyrura nga Kombet e Bashkuara mbi statusin e ardhshëm të provincës tonë të jugut, Kosovës”, thuhet në një deklaratë shtypi të kabinetit të Tadiçit. Reagimi erdhi pas deklaratës së Presidentit Sejdiu më 3 dhe 4 shtator, se ai ishte i gatshëm të takonte Presidentin Tadiç nën kushte të takimit si dy lider të dy shteteve fqinje të pavarura. Në një intervistë për BBC, Sejdiu tha se takimin me homologun serb Boris Tadiç, ishte i gatshëm ta bënte vetëm në një prani të rëndësishme ndërkombëtare, ku do të përqendrohej vetëm në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane, duke kundërshtuar mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit. “Natyrisht se në këtë periudhë ne japim edhe një përgjigje paralele se me Beogradin asnjëherë s’do të ketë takime dhe tema të cilat lidhen me statusin”, tha Sejdiu duke shtuar se UNMIK-u nuk është një partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta, por sipas tij ai së bashku me EULEX in mund të lehtësojnë dhe të shtensionojë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Sejdiu ka shkuar më tej, duke i kujtuar autoriteteve serbe se, “Serbia nuk mund të pengojë shtetet e ndryshme në njohjen e realitetit në Kosovë dhe shfaqi bindjen e tij se nisma e qeverisë së Serbisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të japë rezultat”. Ai ka përjashtuar çdo mundësi të përplasjeve me Serbinë, përfshirë edhe veriun e Kosovës, të cilin e cilësoi si pjesë integrale të Kosovës. Presidenti i Kosovës është treguar realist, duke komentuar se me gjithë gatishmërinë e tij, mendonte se ishte ende herët të flitet për një takim të shpejte mes tij dhe Presidentit të Serbisë.

“Importi i femrave” në Serbi
Qeveria serbe ka provokuar shumë polemika në vend, pas një deklarate të një sekretari të Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, Zheljko Vasiljeviç, i cili ka deklaruar para gazetarëve se “Serbia duhet të importojë më shumë se 100 000 gra nga Azia, për të zgjidhur problemin demografik”, dhe ka këshilluar se shteti duhet të fillojë menjëherë zbatimin e këtij projekti, duke  e cilësuar si zgjidhje mjaft origjinale, pasi femrat serbe refuzojnë të lindin shumë fëmijë. Në ministritë serbe kanë mbërritur me mijëra telefonata nga indinjimi i popullsisë, duke ngritur pyetjen nëse zyrtarët serbë merren me trafikun e njerëzve. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Rasim Ljajiç kërkoi ndjesë për deklaratën dhe tha se, ky ishte qëndrimi personal i Vasiljeviç dhe nuk do të tolerohet”. 

Abkhazia: Ne mund ta njohim Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme në Akhazi, Sergej Basma, tha se vendi i tij është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ka vendosur një kusht për këtë. “Nëse Kosova bie dakord ta njohë pavarësinë tonë (të Abkhazisë), edhe ne sigurisht që do t’i njohim ata”, tha Basma. Dëshira për njohjen ekziston, edhe pse sipas Basmës “ka shumë dyshime që Prishtina të hedhë këtë hap, pasi autoritetet atje janë shumë të varura nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara në procesin e vendimmarrjes”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›