E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kumbaro" në dorë të sekretarit të Shtetit

 

TIRANE - Ambasada britanike në kryeqytetin e Shqipërisë përmes një deklarate për shtyp, konfirmoi dje vendimin e Gjykatës së Ekstradimeve në Londër, për transferimin e Ilir Kumbaros, ish-shefi i Degës së Parë të SHIK-ut në Tiranë. "Të martën, datë 24 mars, në një seancë ekstradimi të mbajtur në Gjykatën e Magjistratëve të Westminster, Londër, gjykatësi vendosi se i pandehuri, i cili po jetonte nën identitetin e Shaqa Shatrit, ishte faktikisht Ilir Kumbaro. Ky vendim, i cili mund të apelohet, mundëson kalimin e çështjes tek Sekretari i Shtetit, i cili do vendose nëse Kumbaro mund të ekstradohet për t`u gjykuar në Shqipëri", thuhet në deklaratën e Ambasadës britanike. Sipas saj, "Mbretëria e Bashkuar i merr seriozisht të gjitha kërkesat për ekstradim dhe synon t`i shqyrtojë ato sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky proces ndonjëherë mund të zgjatet në kohë, për shkak të kontrolleve, balancave dhe masave mbrojtëse përkatëse, të cilat sigurojnë saktësinë e vendimit". Pas vendimit të Gjykatës së Ekstradimeve në Londër, tashmë pritet që pala angleze të vazhdojë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e Ilir Kumbaros në Tiranë. Ai kishte fituar azil politik që në vitin 1996 kur u largua nga Shqipëria ndërsa në vitin 2003, prokuroria firmosi urdhërarresti ndaj tij, duke e akuzuar bashkë me tre kolegë të tij, për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ngjarje e ndodhur më 21 tetor 1995 në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›