Fazlliç filmohet te pallati i Berishës
TIRANE
I akuzuari i madh i Prokurorisë për pastrim parash, i njohuri si biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, është filmuar para dy netësh nga një kamera amatore duke dalë nga pallati ku banon aktualisht Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Pamjet e transmetuara nga emisioni investigativ “Fiks Fare” ishin të dobëta, duket të filmuara me një aparat celular, por të mjaftueshme për të përcjellë identitetin e pagabueshëm të Damir Fazlliç. Në këto pamje ai dukej tek dilte nga brendësia e pallatit që ndodhet pas ish-piramidës, ku gjenden edhe ambientet e "Top Channel". Në pak sekondat filmime, Fazlliç shfaqet duke ecur në drejtim të një makine fuoristradë me ngjyrë të hapur dhe fiksohet për një kohë pa lëvizur në momentin kur hap derën për t'u futur brenda. Sensi i lëvizjes së makinës ishte me drejtim rrugën e Elbasanit.
Çështja "Fazlliç"
Çështja "Damir Fazlliç" preokupoi një kohë të gjatë mediat, drejtësinë dhe gjithë opinionin shqiptar. Gjithçka nisi me arrestimin e tij në Bosnjë në fillim të tetorit të vitit të shkuar. Sipas të dhënave të mediave boshnjake, ai akuzohej për tjetërsimin e një shume prej rreth 50 mijë eurosh të dhëna nga Enti Federal i Punësimit, për të paguar punëtorët për ndërtimin e një hoteli.
Fill pas këtij lajmi, mediat shqiptare publikuan të dhëna sipas të cilave Damir Fazkliç kishte krijuar në Tiranë disa shoqëri fiktive me anë të të cilave kishte kryer transferta të dyshimta të shumave të mëdha të të hollave. Në krye të këtyre shoqërive, po sipas zbulimit të mediave, qëndronte një familjar u afërt i ministrit aktual të Jashtëm, ndërkohë që pati përpjekje për të bërë lidhje interesash të Fazlliç edhe me familjarë të Kryeministrit të vendit. Mediat zbuluan gjithashtu se Fazlliç kishte blerë në Durrës sipërfaqe të mëdha trojesh, pikërisht në vendin ku ishte paracaktuar ndërtimi i një kompleksi industrial. Po kështu mediat publikuan fakte tronditëse që flisnin për pjesëmarrjen e Fazlliç në vitin 2006, të paktën në një rast në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Hetimi dhe vendimi i gjykatës
Nisur nga këto zhvillime, Prokuroria në kohë rekord hapi hetimin dhe shumë shpejt nën dyshimin për pastrim parash, sekuestroi të gjitha shoqëritë dhe pronat e Damir Fazlliç në Shqipëri. Përgjatë zhvillimit të hetimeve pati edhe një tjetër lajm, sipas të cilit, anëtarët e KRRT-së së Qarkut të Durrësit miratuan njëzëri master-planin e parkut energjetik dhe industrial të Porto Romanos, pra pikërisht edhe truallin e blerë nga Fazlliç.Por në fund të dhjetorit 2008, edhe pse prokurorët që mbronin akuzën argumentuan se "Damir Fazlliç ka blerë prona me vlerë 1.7 milionë euro në Shqipëri, para të përfituara nga një biznes në Shqipëri që ishte themeluar në mënyrë fiktive dhe nuk kishte kryer asnjë aktivitet, duke pasur në llogari vetëm 10 mijë lekët e themelimit", Gjykata e Tiranës, vendosi të kundërtën. Kështu më 31 dhjetor 2008, gjykatësi Dritan Brozi, në vendimin e vet argumentoi se Damir Fazlliç nuk ka kryer asnjë vepër penale në Shqipëri dhe më tej urdhëroi heqjen e të gjitha sekuestrove për pronat. Gjithsesi çështja tashmë është apeluar, ndërkohë që ende Gjykata e Shkallës së dytë nuk është shprehur dhe njëkohësisht nuk ka purifikuar me vendim të formës së prerë akuzat ndaj Fazlliç.
Fazlliç dhe Berisha
Menjëherë pas akuzave të bujshme në media dhe nisjes së hetimit nga Prokuroria, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi se e njihte mirë Damir Fazlliç dhe u përbetua se Fazlliç nuk kishte futur kurrë duart në të ardhurat që sigurohen nga taksapaguesit shqiptarë. Po kështu gjatë një seance në Kuvend, Kryeministri siguroi se mund ta sillte Fazlliçin në Tiranë fare lehtë. Kështu edhe ndodhi, pasi Fazlliç, me anë të një avioni privat, pak ditë më pas mbërriti në Rinas për të qenë i pranishëm në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu. Një ndërkohë kur prokuroria u orvat ta merrte në pyetje, por nuk mundi. Pra dëshmohet se Damir Fazlliç ka qenë mik i krerëve më të lartë të pushtetit në Shqipëri, nisur nga Kryeministri, që pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2005. Të paktën në një rast, publikisht Kryeministri Sali Berisha ka pohuar se e njeh mirë Fazlliç por edhe se ka aq fuqi sa ta sjellë atë në Tiranë kur të dojë, për ta ballafaquar me akuzat. Kështu që prania e Fazlliç para pallatit ku banon Kryeministri, vetëm përforcon faktin e një lidhjeje të hershme. Ky konkluzion, nëse Fazlliç nuk ka pasur ndonjë tjetër punë në këtë pallat, pasi aty ka edhe zyra të ndryshme, përveçse ambiente banimi.