E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Klinsman trajner? E shoh si menaxher, ose president

Pasi ka folur për Shqipërinë, ecurinë e mirë që ka pasur me çdo skuadër ku ka punuar dhe faktin se në Holandë nuk e duan si trajner të kombëtares, tashmë Ari Han flet edhe për Jurgen Klinsman. Në të kaluarën, trajneri i Bajernit të Mynihut (ku u emërua pas largimit nga kombëtarja gjermane), ka luajtur nën urdhrat e teknikut kuqezi. Përpara sfidës së Bundesligës, Shtutgart-Bajern, Han kujton Klinsmanin lojtar dhe deklaron se më shumë se sa si trajner ai e sheh në rol menaxheri, ose presidenti. "Jurgen ka kërkuar gjithmonë të ishte i ndryshëm nga të tjerët, kjo e bën të jetë i veçantë. Ai është një njeri që nuk bën kompromise dhe kur luante futboll punonte shumë që të arrinte perfeksionin", deklaroi Han. "Eksperienca ime më e bukur sportive me të ishte triumfi në finalen e Kupës UEFA në vitin 1989 kundër Napolit. Mendoj se kam qenë për të trajneri i duhur në kohën e duhur. Klinsi përfitoi nga bashkëpunimi me mua, ashtu sikurse edhe unë përfitova prej tij". Më tej, tekniku kuqezi shtoi: "Tashmë e shoh të gëzojë në stolin e Bajernit kur fiton dhe kjo më duket e mahnitshme. Ai asnjëherë nuk tregonte kaq shumë emocione në publik. Ku e shoh pas dhjetë vjetësh? Më shumë sesa si trajner, e shoh në rolin e menaxherit, ose të presidentit. Forca e tij nuk është puna në seancat stërvitore, por aftësia për të menduar në mënyrë novatore dhe për të parashikuar ndryshimet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›