E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shtiresh sikur je burrë

A mund të marrim testosteron për të parë ndryshime mes dy gjinive? Për disa muaj, Beatriz Preciado, filozofe spanjolle, është transformuar në mashkull (qimet dhe energjia iu shtuan, muskujt iu rritën dhe dëshira për të bërë seks iu rrit) duke konsumuar rregullisht hormone. Këtë eksperiencë ajo e ka hedhur në një libër, i cili sapo është publikuar në Francë, "Testo Junkie". Libri tregon intoksikimin vullnetar të filozofes, ku përmbledh një sërë çështjesh mbi kapitalizmin, biopolitikën, pornografinë, problemet e zakonshme, pasqyrimin, mbi të gjitha ilaçet e veçanërisht hormonet që i përdorim pa u menduar gjatë. Ajo këshillon që të vazhdojmë të mendojmë seriozisht mbi këtë pilulë, e cila rimodelon personalitetin tonë.

Pse vendosët të merrnit testosteron?

Nuk jam e para që e bëj një eksperiment të tillë: një ndër eksperimentuesit ishte dhe Frojdi me kokainën, apo Benjamini me hashashin. Edhe ata kanë përdorur trupin si mjet eksperimenti.

Por pse zgjodhët pikërisht testosteronin?

Sepse më interesonte të reflektoja mbi problemet e seksit dhe gjinisë përmes hormoneve. E ndërsa estrogjenet gjenden kudo, testosteroni ka mbetur ende tabu.

Kur ju kryet eksperimentin, mes viteve 2005-‘07, testosteroni nuk ishte në shitje?

Nëse një grua dëshiron ta konsumojë, duhet të deklarojë se vuan nga disforia seksuale - me pak fjalë sëmundje mendore - dhe të prezantohet përpara një grupi psikiatërish, të cilët do të vlerësojnë nëse mund të ndërrosh ose jo gjininë. Unë nuk dëshiroja të ndryshoja gjininë dhe as t‘i kërkoja shtetit leje për të marrë testosteron.

Si u zhvillua eksperimenti?

Tri herë në javë aplikoja doza të vogla xheli në shpatulla prej 50 mg. Më pas e ulja në dy, më pas sërish e çoja tre, e kështu me radhë. Ndërkohë mendoja se ku dëshiroja të arrija.

Kur i vutë re ndryshimet e para?

Katër ose pesë ditë pas konsumimit. Pra, kur nuk mendoja më për këtë punë, një pjesë e trupit reagoi me të vërtetë. Ke të njëjtat ndjesi të një droge: kushdo që ka provuar substanca të ndryshme që lidhen me drogën, e kupton se çfarë dua të them.

Praktikisht çfarë ju ndodhi?

Testosteroni mund t‘i shumojë ose pakësojë qimet në trup. Në rastin tim, më kanë dalë qime në fytyrë.

Është e vërtetë që muskulatura rritet?

Po, dhe ndihesh më energjik. Jo rastësisht në badibillding testosteroni përdoret si stimulues.

Si ndryshoi dëshira juaj seksuale?

Ndjen një dëshirë "të çmendur" seksuale. Të duket sikur ke një çekiç mes këmbëve, një ndjesi të vazhdueshme urgjence. Për të shuar këtë ndjesi, kam ecur për orë të tëra nëpër qytet. Më vjen për të qeshur, sepse isha gjithmonë gati për ta bërë me të parin që më dilte në rrugë.

Është ajo që e cilësoni si "të dehesh nga burrëria"?

E kam thënë me shaka. Kjo ndjesi është kodifikuar si mashkullore, potente, por është një eksperiencë që mund të jetohet dhe të eksperimentohet nga çdo lloj trupi. Në endokrinologji, sasia e duhur e testosteronit te një person nuk është përcaktuar kurrë me saktësi. Sa testosteron nevojitet për t‘u quajtur burrë? Ndoshta duhet të marrin në konsideratë përmasën kulturore të biologjisë. Feministët thonë se seksi është biologji dhe se gjinia është ndërtuar. Sot kemi filluar ta kuptojmë se të dyja gjinitë janë pjesë e të njëjtit sistem tekno-bio-politik, në të cilin hyn në lojë edhe dëshira seksuale. Që prej marsit të këtij viti është hedhur në treg një ilaç, i cili përmban testosteron dhe rekomandohet për gratë në menopauzë, të cilave u është shuar dëshira për të kryer marrëdhënie. Është konfirmuar se ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis epshit dhe hormoneve.

Mendoni se gratë do t‘i duronin efektet anësore?

Pyes veten se çfarë do të ndodhte nëse një numër i madh grash do konsumonin testosteron dhe burrat pak estrogjene, një hormon destabilizues nga ana emocionale. Nuk mendoj se është rastësi që pilula, ose më saktë doza e estrogjenit dhe progresteronit, iu dha grave në vitet ‘70, pikërisht gjatë revolucionit seksual dhe procesit të emancipimit.

Konkretisht ç‘doni të thoni me këtë?

Në një farë mënyre, kjo pilulë është produkti i parë mbrojtës dhe jo kurues që është hedhur në treg. Ajo ka krijuar një model në të cilin frymëzohen të gjitha ilaçet pasardhëse, nga prozak te viagra.

Duke lexuar librin tuaj, të krijohet ndjesia se pothuajse të gjithë jemi të helmuar...

Pak ditë më parë, në Nju Jork është zbuluar se uji i çezmës përmban një sasi të konsiderueshme hormonesh dhe molekula të tjera farmakologjike. Përmes rregullave të dëshirës, po ndihmojnë një politikë të re kontrolli.

Kjo nuk ndodhte në të shkuarën, apo jo?

Natyrisht, po ka një ndryshim: sot kontrolli është më efikas. Në të shkuarën, trupi ynë mbyllej në një vend të caktuar - burg, spital, shkollë, spital psikiatrik - për t‘u kontrolluar. Sot e bëjmë me dëshirën tonë, me pilulën prozak dhe viagrën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›