E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta fiton raundin e parë me Vllazninë

Teuta fiton raundin e parë të sfidës me Vllazninë. Falë golit të realizuar nga Emiliano Vila, skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova kalon 1-0 në "Niko Dovana". Gjithsesi, ky rezultat lë të hapur diskutimin për skuadrën që do të sigurojë një biletë në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Duke përfituar nga mungesat në formacionin shkodran, "djemtë e detit" diktojnë ritmin e lojës dhe gjejnë rrugën e rrjetës vetëm pas 25 minutave. Pas avantazhit ata rreshtohen me kujdes në mbrojtje, duke neutralizuar plotësisht Sinanin. Kjo është arsyeja përse tekniku Canaj ndryshon: ai largon nga loja goleadorin kuqeblu e Hotin dhe hedh në fushë Shtupinën e Ballën. Gjithsesi, janë vendasit ata që vazhdojnë të kërkojnë golin e dytë, por Mile në dy raste gabon. Vllaznia nuk pajtohet me rezultatin dhe në lojë futet edhe Dhëmbi, ndërsa skema kalon nga 4-4-2 në 4-3-3, duke vënë në presion të jashtëzakonshëm mbrojtjen durrsake. Megjithatë, deri në fërshëllimën finale rezultati nuk ndryshon dhe tashmë Teuta udhëton drejt Shkodrës me avantazhin e një goli. Për kryesuesit e Kategorisë Superiore, kjo është humbja e parë pas afro një muaji e gjysmë.

Përfundojnë në barazime dy takimet e tjera të prapambetura të turit të dytë të Kupës. Elbasani nuk arrin të shkojë më shumë se rezultati 2-2 në fushën e Besëlidhjes. Edhe pse kryesonin 2-0, pas rrjetave të Abazajt dhe Stojkut, verdheblutë e drejtuar nga Mirel Josa janë shpërqendruar, duke lejuar kundërshtarët që t‘i barazonin. "Paqe" edhe në Ballsh, kjo është sfida e parë ndërmjet Bylisit vendas dhe Flamurtarit që përfundon 1-1. Edhe pse kanë luajtur për më shumë se një pjesë në inferioritet numerik, për shkak të largimit nga fusha të Çaushajt, pas dy kartonëve të verdhë, vlonjatët kaluan të parët në avantazh. Në të 83-ën, Galica, i aktivizuar vetëm prej pak minutash, shënon për Flamurtarin. Por, vendasit nuk janë dorëzuar dhe dy minuta përpara mbylljes së kohës së rregullt Bakiu shënon me një 11-metërsh, të cilin e kishte fituar vetë pas një aksioni të bukur në zonë. Të gjitha ndeshjet e kthimit në Grupin A dhe B do të luhen të mërkurën e ardhshme, më 17 dhjetor.

1/8 Kupa e Shqipërisë

GRUPI A

Skënderbeu-Dinamo 1-0

Kastrioti-Besa 1-2

Apolonia-Shkumbini 0-0

Teuta-Vllaznia 1-0

GRUPI B

Burreli-Partizani 0-1

Besëlidhja-Elbasani 2-2

Lushnja-Tirana 1-4

Bylis-Flamurtari 1-1

*Ndeshjet e kthimit do të luhen të mërkurën e ardhshme, më 17 dhjetor



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›