Pango premton firmosjen e statuteve, por jo të KOKSH-it
Pas një takimi me drejtuesit e federatave, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka premtuar se do t‘i firmosë të gjithë statutet e tyre. Pas takimit Pango ka theksuar se e ka marrë në dorë vetë situatën, pasi ka pranuar se vonesat në firmosjen e statuteve kanë ardhur për faj të zyrtarëve të ministrisë. "Problemi kryesor është që ne të zbatojmë ligjin, tha dje Pango. Jemi marrë vesh që të firmosim statutin tip me ndryshimet e bëra prej tyre dhe brenda afateve zgjedhore të zgjidhen organet drejtuese. Deri tani firmosja e statuteve është zvarritur dhe vonuar nga drejtoria e sporteve". Shumë optimistë pas këtij takimi kanë qenë edhe sekretarët dhe presidentët e federatave përkatëse, të pranishëm në këtë mbledhje, të cilët tashmë janë të bindur se gjërat po ecin në rrugë të mbarë. "Dolëm optimistë, sepse me të vërtetë ministri mbajti një qëndrim korrekt, tha presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Viron Bezhani. Kemi pasur një pikë të diskutueshme, në lidhje me miratimin e statutit nga asambleja, për të cilën gjetëm gjuhën e përbashkët. Ai do të firmoset me ndryshimet që do të bëhen në asamble. Nuk do të luajmë me kartën olimpike, nuk do të luhet me ligjin". Por Pango shpreh rezerva për statutin e KOKSH-it, që, sipas tij, është në kundërshtim me disa nene të "Kartës olimpike" dhe "Ligjin për Sportin": "Këtë statut do ta firmos pasi t‘i rregullojnë këto nene".